Tetori Rozë, marshim në Shkodër për ndërgjegjësimin kundër kancerit të gjirit

TIRANË, 10 tetor /ATSH/ Bashkia e Shkodrës, Ambasada e Bashkimit Evropian në Tiranë dhe organizatat civile kanë zhvilluar një marshim në qytetin e Shkodrës për të rritur ndërgjegjësimin për parandalimin e kancerit të gjirit. Nisma u organizua në kuadër të “Breast Cancer Walk”, një aktivitet i YWCA-së, ku morën pjesë të rinj, përfaqësues të shoqërisë civile, punonjës shëndetësorë, autoritete lokale dhe diplomatë.
Ambasada e BE-së në Tiranë theksoi rëndësinë e kontrolleve të rregullta mjekësore për parandalimin e vdekjeve nga kanceri i gjirit. Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, vuri në dukje se ekzaminimi në kohë shpëton jetë dhe se mbështetja e të gjithë komunitetit është jetike. “Kur përballesh me kancerin, mbështetja e të gjithëve është e nevojshme. Sot u gëzova që pashë kaq shumë njerëz të angazhuar për këtë kauzë. Së bashku mund ta mposhtim kancerin e gjirit!” deklaroi Gonzato.
Kreu i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, gjithashtu u shpreh përmes një postimi në rrjetet sociale: “Ia vlen ta jetosh jetën. Marshuam të gjithë së bashku për t’i thënë PO jetës!” Ai theksoi bashkëpunimin e institucioneve vendore dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë, duke përfshirë ambasadorët e SHBA-së, BE-së, UNICEF-it dhe Holandës, në këtë nismë të rëndësishme që shënon një përvojë 16-vjeçare në muajin e sensibilizimit kundër kancerit të gjirit.
Tetori Roze ne Shkoder 1 nga 3/r.e/