E Diel, 1 Nëntor 2026

Teuta fiton ndaj Skënderbeut, Elbasani e Vora ndahen në barazim

TIRANË, 11 tetor /ATSH/ Kategoria Abissnet Superiore u rikthye këtë fundjavë pas pushimit të gjatë si pasojë e ndeshjeve të kombëtareve të vlefshme për Ligën e Kombeve.

Të shtunën u zhvilluan dy ndeshjet e para të Javës së 6-të.

Teuta mundi 2-0 Skënderbeun duke u konfirmuar si skuadra më në formë e kampionatit. Skuadra durrsake me trepikëshin e marrë në “Niko Dovana” shënon fitoren e pestë radhazi dhe ruan kreun e klasifikimit. Golin e parë e shënoi Kallaku në minutën e 16-të me një 11-metërsh të dhënë në favor të vendasve, ndërsa Pedro dyfishoi në minutën e 32-të. Duhet theksuar se Teuta që nga minuta e 74-t luajti me 10 lojtarë, pas daljes me të kuq të Boçit.

Skuadra e Edlir Tetovës, i cili u shpall edhe trajneri më i mirë i Superiores për muajin shtator, pret tani me qetësi rezultatet e ndjekëseve të saj teksa sheh që ka shanset për të krijuar shkëputjen e parë në krye të renditjes.

Ndërsa në “Elbasan Arena” Elbasani dhe Vora e mbyllën me barazimin 1-1. Ishin vendasit ata që kaluan të parët në avantazh në minutën e 22-të me Mazarin, kurse miqtë barazuan në fundin e pjesës së parë me Karriqin. Me këtë rezultat për momentin AF Elbasani e sheh veten në vendin e katërt, ndërsa Vora ngjitet në të 7-in.

Java e 6-të do të mbyllet sot me tri ndeshjet e tjera, ku pa dyshim sytë do të jenë te derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës (18:30).

Po kështu shumë e rëndësishme është edhe përballja mes Vllaznisë dhe Dinamos (18:30), ndërsa Laçi do të presë kampionët në fuqi të Egnatias (13:30).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›