E Diel, 1 Nëntor 2026

Teuta fut Tiranën në krizëTeuta i shhkkton humbjen e dyte bardheblueve per kete sezon

Kjo Tiranë zor se njihet. Jo vetëm se ndaj Teutës në “Qemal Stafa” (1-2) pësoi humbjen e dytë sezonale në 13 javë. Por se prej shtatë javësh po lëngon. Ajo fitore e bujshme në miqësoren kundër Milanit (2-1, më 14 tetor 2008), duket se “prishi” gjithçka të ndërtuar me shpenzime stratosferike për futbollin e varfër shqiptar. Tashmë në vendin e dytë me dy pikë më pak se Vllaznia, e vetmja skuadër që nuk njeh humbje në shtëpi. Emiljano Vila, me dy golat e tij model në pjesën e parë, ishte dhe heroi i fitores më se të merituar durrsake në kryeqytet. Në mungesë të goleadorit Migen Memelli, bardheblutë dëshmuan se nuk kanë forca për të goditur kundërshtarët, teksa te 23-herë kampionët sulmuesi kryesor Daniel Xhafaj është tërësisht jashtë “kuadratit” të portës. Goli i Jetmir Sefës në dhjetë minutat e fundit të ndeshjes ishte ngushëllimi i vetëm i tifozëve të Tiranës dhe kryetifozit bardheblu, Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Për Teutën “italiane” të ndërtuar nga një strateg i sprovuar si Starova, fitorja nuk ishte vetëm një hakmarrje personale e ish-trajnerit të bardhebluve, por e çoi formacionin durrsak në katër vendet e parë të Kategorisë Superiore. Herën e fundit që ish-trajneri i Partizanit kishte drejtuar Teutën (sezoni 2006-2007) i dhuroi asaj vendin e nënkampionit dhe të finalistit të humbur të Kupës së Shqipërisë (të fituar nga Besa). Sa për të dhënë edhe një statistikë, kjo ishte fitorja e 45-të e Teutës në 145 ndeshje me Tiranën (72 fitore, 38 barazime).


E Diele, 30 Nentor 2008  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›