E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: EULEX dhe De Marnhac ndihmuan shumë Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, priti në takim lamtumirës shefin e EULEX-it n Xavier Bout De Marnhac me rastin e përfundimit të mandatit të tij në krye të misionit të BE-së për sundimin e ligjit.

Në takim kryeministri Thaçi shprehu falënderimin e Qeverisë së Kosovës për bashkëpunimin e ngushtë në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe misionit të EULEX-it në Kosovë si dhe për angazhimin dhe përkushtimin personal të De Marnhac.

Me këtë rast kryeministri ritheksoi përkushtimin dhe angazhimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e rendit dhe të ligjit në Kosovë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe trafikimit me qenie njerëzore. Në këtë angazhim, ndihmesë të madhe ka dhënë edhe EULEX-i, nën drejtimin e Marnhac.

“Edhe në të ardhmen ne presim që të bashkëpunojmë ngushtë me misionin e BE-së për të fuqizuar rendin, sigurinë dhe ligjin sidomos në veri të Kosovës”, theksoi kryeministri Thaçi.

Shefi i EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac e falënderoi kryeministrin Thaçi dhe Qeverinë e Kosovës për bashkëpunimin e mirë dhe konstruktiv si dhe përkrahjen që i ka dhënë misionit të BE-së për sundimin e ligjit - EULEX./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›