E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Marrëveshja racionale, por jo ideale

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, në një konferencë për media sapo ka deklaruar se, dje Republika e Kosovës dhe ajo e Serbisë kanë hapur një kapitull të ri. “Kosova ka fituar, Serbia ka fituar dhe rajoni në përgjithësi ka fituar”, ka thënë Thaçi, duke shtuar, me marrëveshjen e nënshkruar do të normalizohet edhe gjendja në veriun e vendit.

“Normalisht që procesi i negociatave nuk ka qenë i lehtë, por e rëndësishme është që kemi arritur të shtyjmë përpara interesat e qytetarëve tonë”, tha ai.

Sipas kreut të ekzekutivit, Policia e Kosovës do të funksionoj me ligjet e Kosovës edhe në veri, po ashtu edhe asociacioni e gjyqësori do të funksionoj me ligjet e njëjta.

Ai ka thënë se, strukturat paralele do të shpërbehen dhe zgjedhjet lokale në veriun e Kosovës do të organizohen në pjesën e dytë të këtij viti me ndihmën e OSBE-së.

“Ne kemi marrë garanci nga NATO se edhe ata do të jenë partner për realizimin e marrëveshjes, garanci kemi edhe nga Bashkimi Evropian”, ka pohuar kryeministri, duke shtuar, kjo marrëveshje është e mirë për të gjithë.

Thaçi i ka ftuar të gjithë të mos bien pre e atyre që për 14 vjet e kanë mbajtur peng jetën e qytetarëve për përfitime të ngushta politike e materiale.

Shefi i Qeverisë u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, sidomos atyre në veri, që le ta kuptojnë këtë marrëveshje, si të vullnetit të mirë, të një epoke të re, të mirëqenies dhe stabilitetit.

“Substanca e marrëveshjes është e rëndësishme për të gjithë qytetarët e Kosovës. Kosova përfundimisht me marrëveshjen e djeshme hynë në epokën e normalitetit. Ajo që është me rëndesë është se kemi marrë garracin e NATO-s, se ajo do qëndrojë në Kosovë edhe në të ardhmen. Me këtë marrëveshje i’a kemi lehtësuar marrëveshjen NATO-s për lëvizjen e lirë. Tani energjitë duhet t’i fokusojmë në zhvillimin e vendit”, tha Thaçi.

"Kjo është një marrëveshje e një negociate jo të lehtë, është një marrëveshje racionale, por nuk është ideale. Kjo ka qenë zgjidhja më e mirë e mundshme e arritur", tha kryeministri.

Thaçi sapo ka nënshkruar kërkesën që nesër të organizohet një seancë në Kuvendin e Kosovës në orën 20:00 për marrëveshjen e nënshkruar./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›