Thaçi: Shekulli i fuqizimit dhe bashkimit të shqiptarëve

Duke marrë fjalën në ceremoninë e vendosjes së shtatores së Isa Boletinit, në Mitrovicë, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha se “Jemi sot këtu, në qytetin heroik të Mitrovicës, për ta ngritur përjetësisht shtatoren e gjeneralit të Pavarësisë së Shqipërisë, komandantit Isa Boletini”.
Kremtimi i 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe atmosfera festive e përhapur kudo ku jetojnë dhe veprojnë bashkëkombësit tanë është e natyrshme, legjitime dhe meritore, si për çdo komb të lirë dhe të përparuar të botës së civilizuar.
Në këtë moment historik me të drejtë festojmë me psikologjinë e fitimtarit, tha Thaçi.
Shqipëria në 100 Vjetorin e Pavarësisë është anëtare e NATO-s, pjesë e organizatës mëfuqishme të sigurisë botërore.
Në 100 Vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar, Kosova ka hyrë në 13 vjetorin e çlirimit dhe 5 vjetorin e Pavarësisë.
Këto janë të arriturat të jashtëzakonshme historike dhe madhështore, për cilat u flijuan breza të tërë, gjeneratë pas gjenerate.
Njëqind vjet më parë, në Vlorën heroike, kishte arritur Isa Boletini me 400 bashkëluftëtarë e tij.
Siç shënonin kronistët e kohës, disa prej tyre ende u kullonin plagët në trup nga fushëbetejat qëkishin sjellë deri te dita e madhe e Ngritjes sëFlamurit me 28 Nëntor 1912.
Isa Boletini dhe bashkëluftëtarët e tij u përkulën para flamurit, e puthën dhe përqafuan me lot, ata që për tridhjetë vjet me radhë, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, çdo pëllëmbë të trojeve shqiptare e kishin larë me gjak.
Në vazhdim Thaçi tha se me Isa Boletinin vinte historia e lavdishme kryengritjeve të 1908, kryengritjet e frymëzuara nga kolosi i pavarësisë së Shqipërisë, ideologu dhe strategu Hasan Prishtina.
400 bashkëluftëtarët e Isa Boletinit përbënin forcën e parë ushtarake të Qeverisë së parë shqiptare të kryesuar nga kryetari i saj Ismail Qemali, raporton Koha.
Sot, njëqind vjet më vonë, e themi me krenari se ushtria shqiptare është pjesë e NATO-s.
Përpjekjet për çlirimin e tokave shqiptare nuk reshtën asnjëherë.
Edhe në periudhat më të errëta historike, për afër një shekull, shqiptarët nuk i ndalën përpjekjet për realizimin ëndrrave të Isa Boletinit, Hasan Prishtinës, Azem Bejtës, Shaban Polluzhës, Adem Demaçit, Adem Jasharit dhe gjithë atyre bijve dhe bijave që u sakrifikuan për lirinë e Kosovës.
Kosova në rrugën drejt lirisë, krijoi projektin më madhështor politiko - ushtarak Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, rezistencën gjithë qytetare, mbështetjen e Botës Perëndimore, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të shteteve të BE-së, dhe doli ngadhënjimtare në qershorin e vitit 1999.
Duke sublimuar vullnetin politik, historik dhe jetësor të qytetarëve të saj, me përkrahjen e miqve të shumtë ndërkombëtarë, Kosova u bë shtet i pavarur dhe sovran më 17 shkurt 2008.
Kosova me krenari feston themelimin dhe 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Kosova me krenari kujton figurat madhore historike që kontribuuan për lirinë dhe shtetësinë e saj.
Mitrovica me krenari pranon në sheshin e saj shtatoren e Gjeneralit të Pavarësisë së Shqipërisë, Isa Boletinit.
Thaçi tha se 100 vjetori i pavarësisë shënon shekullin e fuqizimit dhe bashkimit, shënon fillimin e ri për të gjithë shqiptarët. /Indeksonline/