E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Zgjidhja e vetme, zbatimi i plotë i marrëveshjes

Zgjidhja e vetme është zbatimi i plotë marrëveshjes së Brukselit të 19 prillit, tha kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke folur sonte për procesin e dialogut drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, pasi fillimisht u shpreh se ka opinione të ndryshme që paraqiten qoftë në Prishtinë apo në Beograd.

“Është kohë vere dhe ka pasiviteti, ndërsa unë jam optimist se gjërat do të lëvizin në drejtimin e duhur. Askush nuk do të mund t’i ikë përgjegjësisë së marrëveshjes ndërkombëtare të 19 prillit për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe të rajonit, për zbatimin e plotë të asaj agjende. Prandaj, pavarësisht nga deklarimet e Beogradit, unë dua të shpresoj fuqishëm se Serbia do t’i marrë përgjegjësitë për zbatim dhe do t’i realizojë në praktikë”, theksoi ai.

Në një intervistë televizive në RTK, kreu i Qeverisë tha se BE-ja do të vazhdojë të përcjellë nga afër gjithë këtë proces. “Sa i përket Qeverise së Kosovës, i ka kryer të gjitha obligimet, në kuadër të kësaj edhe Parlamenti i Kosovës. Prandaj, pres në ditët e ardhshme që gjërat të lëvizin më shpejtë, më mirë dhe në mënyrë edhe më cilësore”, tha kryeministri./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›