E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri, duhet ti japim përgjigjeje funksionalitetit në Mat I

Në kuadër të përgatitjes së programit lagje për lagje, z.Besnik Tahiri Kryetar i Aleancës për Prishtinën së bashku më kryetarin e nëndegës së "Lagjes së Spitalit", z. Veli Leci dhe ekipin e Aleancës për Prishtinën bashkëbiseduam me banorët.

Gjatë vizitës nga banorët ata u njohën për së afërmi me problemet dhe vështirësitë e shumta me të cilat ata po ballafaqohen. Shihet qartë se në këtë lagje është duke ndodhur një ndërtim i hovshëm dhe jo gjithherë në standarde të ndërtimit profesional, përkundër faktit që në këtë lagje ka ndërtime shumë moderne.

Sipas vlerësimeve tona, rruga “Muharrem Fejza” duhet të shkarkohet nga trafiku i rënduar në mënyrë që të mos rrezikohet jeta e qytetarit. Komuna duhet të dërgoj infrastrukturën përcjellëse deri tek ndërtimet e larta, ngase për banorët e kësaj lagje çdo ditë e më shumë po rëndohet mundësia për një jetë normale.

Prishtina ka nevojë të investojmë mirëfilli në infrastrukturë, me qëllim që të ndërtojmë themelin e një rritje ekonomike afatgjatë dhe lehtësimin e jetës për banorët, ndërkaq në këtë lagje Shtëpia e Shëndetit ka mungesë të qasjes së lehtë për shkak të rrugës, po ashtu shkolla “Pavarësia” nuk posedon infrastrukturën përcjellëse për funksionalizim të plotë.

Është urgjente të përfundojnë problemet që sjelle mungesa e planeve rregulluese, ndërtimet ilegale dhe shfrytëzimi i hapësirave publike, ku lejet e ndërtimit e shfrytëzimit janë shndërruar në mundësi korrupsioni.

Ne do mundësojmë që në Mat I të funksionojmë qarkullimi normal të banorëve dhe mbi të gjitha që edhe banorët e kësaj lagje të ndihen pjesë e një qyteti modern duke vendosur praktika ku shqyrtimi i çdo plan ndërtimi do të burojë nga kërkesat dhe nevojat e lagjeve duke u harmonizuar me planifikimin dhe nevojat banorëve dhe bizneseve. Qytetarët e Prishtinës do të kenë mundësinë të japin mendimet e tyre dhe të zgjedhin vetë të ardhmen e lagjes ku ata jetojnë.

Mbrojtja e qytetarëve dhe garantimi i jetës normale dhe shërbimeve qe i ofrohen atyre, është një aspekt themelor ne këtë drejtim. Për këtë, Aleanca për Prishtinën vlerëson se është e domosdoshme të zbatohen politika të reja për mbrojtjen e qytetarëve. Duke përfshirë rreziqet që ballafaqohen banorët e kësaj lagje që ndërlidhen me sigurinë publike, rrezikun nga rrjeti elektrik dhe rreziqe e probleme tjera të përditshme për këta banorë.

Këto vizita nëpër lagje paraqesin nevojën e domosdoshme për ndryshim, Aleanca për Prishtinën dhe unë kemi vendosur që nëpërmjet këtij programi të shpalosim idetë dhe vizionin tim dhe të bashkëpunëtorëve të mi e mbi të gjitha nevojat e qytetarëve për instalimin e një qeverisje efikase dhe moderne që do të krijonte zhvillim, punësim, shërbime efikase, mirëqenie sociale, siguri dhe atraktivitet për të gjitha grup-moshat dhe shtresat shoqërore./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›