Thaçi:Qeveria të revidojë politikën

Qeveria duhet të revidojë në esencë politikën e saj, ose të tërhiqet, deklaroi kreu i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi.
Sipas tij, kjo qeveri ka dështuar në planin strategjik dhe po vazhdon të ndjek një politkë të hapur antishqiptare. "Së pari mosmarrja e ftesës për anëtarësim në NATO, së dyti mosfitimi i datës për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian, së treti, koalicioni qeveritar tani në mënyrë të hapur ndjek politikë antishqiptare dhe së katërti kriza ekonomike financiare globale e cila do të ndikojë në mënyrë të tmershme në Maqedoni dhe mosgatishmëria e qeverisë që të mos pranojë këtë realitet dhe për fat të keq edhe viti 2009 do të jetë më i keq", deklaroi lideri i PDSH-së, në një prononcim për Televizionin "Koha". Ai theksoi se duhet të japim shpresa dhe "shpresat janë te PDSH-ja, aleatët e PDSH-së që janë SHBA-të, NATO dhe Bashkimi Evropian. Dhe të gjithë së bashku do të kontribojmë që kjo qeveri ose të revidojë në esencë politikën e vet ose të tërhiqet", thotë ai.
"Ekziston një shpresë se një politikë e palëkundshme që bënë PDSH dhe interesat gjeostrategjike të perëndimorëve në Maqedoni, do ta detyrojnë këtë Qeveri të tërhiqet nga kjo politikë ose të bie", deklaroi Thaçi.