E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Jemi për bashkëpunim, jo bojkot

Thaçi përshëndetet me kryeministren e Kroacisë, Kosor (E plotësuar) Kryeministri Hashim Thaçi, i cili po merr pjesë në konferencën e Ballkanit Perëndimor në Bërdo afër Kranjit, ka theksuar se vizioni i Kosovës është thellimi i bashkëpunimit rajonal, e jo bojkoti dhe izolimi.

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalën e tij në sesionin plenar, ka thënë se Kosova dëshiron ndërtojë raporte të mira fqinjësore edhe me Serbinë, si dy shtete të pavarura.

“Vizioni ynë është thellimi i bashkëpunimit rajonal, e jo bojkoti dhe izolimi.
Republika e Kosovës ka ndërtuar raporte të mira fqinjësore me të gjitha vendet e rajonit, me Maqedoninë, me Malin e Zi, me Shqipërinë, me Kroacinë dhe Slloveninë, dhe është e interesuar që në një të ardhme të afërt të ndërtojë raporte të mira fqinjësore edhe me Serbinë, si dy shtete të pavarura”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri i Kosovës ka theksuar përkushtimin e Prishtinës për integrim në NATO dhe në Bashkim Evropian.

Ai ka shtuar se perspektiva e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është perspektiva evropiane, ndërsa ka shtuar se organizimi i kësaj konference dëshmon më së miri rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet të gjitha vendeve të rajonit.

Në Bërdo afër Kranjit, po mbahet konferenca ndërkombëtare mbi Ballkanin Perëndimor, “Bashkë në Unionin Evropian – Kontributi i Ballkanit Perëndimor për të ardhmen evropiane”.

Bashkorganizatorë të konferencës janë kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor dhe kryeministrja e Kroacisë, Jadranka Kosor.

Krahas kryeministrave të vendeve organizatore, në konferencë po marrin pjesë kryeministrat e shteteve të rajonit, ai i Kosovës, Hashim Thaçi; kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha; ai i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq; kryesuesi i Këshillit të Ministrave të BeH, Nikolla Shpiriq dhe kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, e ka bojkotuar takimin për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës si shtet.

Në konferencë po merr pjesë edhe komisionari i BE-së për Zgjerim, Stefan Fule, shefi i UNMIK-ut Lamberto Zanier dhe koordinatori për Evropën Juglindore, Erhard Busek.

Nis konferenca në Bërdo

Në Slloveni ka filluar takimi i udhëheqësve të vendeve të Ballkanit dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. Kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë për zgjerimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, si kusht për integrimet e këtyre vendeve në Bashkimin Evropian, raporton REL.

Në konferencën në Bërdo afër Kranjit, Kosovën e përfaqëson kryeministri Hashim Thaçi.

Në këtë samit, krahas Kosovës, marrin pjesë edhe përfaqësues të Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Bosnjës, Sllovenisë dhe Kroacisë.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka refuzuar pjesëmarrjen, për shkak të përfaqësimit të Kosovë si shtet.

Beogradi e kishte kushtëzuar pjesëmarrjen me përfaqësimin e Kosovës në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. “Fatkeqësisht, organizatorët nuk e ndoqën këtë parim dhe e parandaluan presidentin serb nga pjesëmarrja në konferencë”, ka thënë Zyra e Tadiqit, mbrëmë.

Ne po, ata jo

Kosova përfaqësohet në Konferencën e Brdos si shtet i pavarur. Për këtë arsye, Presidenti i Serbisë, Boris Tadic, anuloi pjesëmarrjen. Kryeministri Hashim Thaçi, para nisjes për Slloveni, tha se perspektiva europiane e rajonit nuk varet nga Beogradi
Nga Valmir Klaiqi

Pas disa ditë përpjekjesh dhe deklaratash të llojllojshme rreth mënyrës së pjesëmarrjes së Kosovës dhe Serbisë në Konferencën rajonale në Bërdo të Sllovenisë, në ditën e fundit gjithçka u sqarua.

Konferenca për Ballkanin Perëndimor do të mbahet në formatin që është paraparë nga organizatorët, Sllovenia dhe Kroacia.

Kosova nuk do të përfaqësohet nën siglën Kosovo/UNMIK siç ka insistuar presidenti serb, Boris Tadic, por si shtet i pavarur, nga kryeministri i saj, Hashim Thaçi.

Pjesëmarrja e barabartë e Kosovës me shtetet e tjera ballkanike ka hidhëruar Tadicin.

Kabineti i Presidentit serb ka njoftuar të premten pasdite nëpërmjet një komunikate për media se Tadic nuk do të marrë pjesë në Konferencë për shkak të problemit të pazgjidhur rreth emrit të delegacionit të Kosovës.

“Që nga fillimi, Serbia ka mbrojtur parimet sipas të cilave delegacioni i Kosovës mund të marrë pjesë në tubimet rajonale në përputhje me dokumentet e OKB’së, para së gjithash në bazë të Rezolutës 1244”, thuhet në komunikatë.

Fajin për mospjesëmarrjen e tij, Tadic përpiqet t’ua veshë organizatorëve të Konferencës. “Për fat të keq, organizatorëve nuk u shkoi për dore që takimi të organizohet në përputhje me këto parime dhe kjo pamundëson praninë e presidentit serb në takimin në Bërdo afër Kranjit. Që nga fillimi, Serbia ka pasur një konstruktivitet në bisedimet rreth modusit të organizimit të takimit, duke demonstruar dëshirën që të mos bllokojë pjesëmarrjen e përfaqësuesit të Kosovës”.

Në komunikatën e lëshuar nga kabineti i kreut të shtetit serb, po ashtu thuhet se Serbia qysh në fillim ka deklaruar qartë qëndrimin e vet në mënyrë që të jetë orientim për organizatorët, të cilët kanë pasur për detyrë të gjejnë formulën e cila do të ishte në përputhje me parimet e OKB’së.

Kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor ka bërë përpjekje të mëdha për të bindur përfaqësuesin e Serbisë që të marrë pjesë në Konferencë.

Për këtë çështje, Pahor e ka takuar Tadicin dy herë brenda dhjetë ditëve, por përpjekjet e tij nuk kanë rezultuar të suksesshme.

Kryeministri Pahor deklaroi të premten se Konferenca për Ballkanin Perëndimor do të mbahet pavarësisht se kush do të marrë pjesë e kush do të mungojë.

“Çdokush që të shtunën vjen në konferencë, do të kontribuojë me qëndrimin e tij në dialog. Kush nuk merr pjesë, nuk do ta dënojmë”, ka thënë ai.

Duke folur për rëndësinë e Konferencës, Pahor ka thënë se ajo paraqet një proces të rëndësishëm dhe të suksesshëm për fatin e njerëzve në Ballkan.

“Dialogu është rruga e vetme drejt paqes, sigurisë, stabilitetit dhe mirëqenies së njerëzve në këtë pjesë të Europës. Për këtë arsye, unë dhe Kryeministrja kroate, Jadranka Kosor, kemi vendosur që konferenca të organizohet”, ka shtuar Pahor.

Në anën tjetër, Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, të premten pasdite ka udhëtuar për në Slloveni.

Ai ka deklaruar në aeroport para nisjes se në Konferencën e Bërdos se do të marrë pjesë si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, ashtu siç edhe është ftuar nga organizatorët.

“Republika e Kosovës në konferencën që do të mbahet në Bërdo, do të jetë e përfaqësuar në mënyrë të barabartë, sikur të gjitha shtetet e rajonit, me statusin që e ka, të njohur si shtet i pavarur dhe sovran”, është shprehur Kryeministri Thaçi.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka thënë se demokratizimi dhe perspektiva europiane e rajonit nuk varet nga Beogradi.

“Sa u përket iniciativave regjionale, takimeve në nivel regjional apo ndërkombëtar, duhet kuptuar se demokratizimi dhe perspektiva europiane e rajonit dhe shteteve përkatëse nuk varet nga adresa e Beogradit. Tash e tutje të gjitha vendet janë të pavarura dhe asnjë vend në rajon nuk është më i rëndësishëm se tjetri. Përkundrazi, është i barabartë.

Kosova, aty ku do të jetë e përfaqësuar, do të jetë në nivel krejt të barabartë me statusin që ka, të njohur si shtet të pavarur dhe sovran”, ka thënë ai.

Në Konferencën për Ballkanin Perëndimor, e cila mbahet sot në ora 10:00, do të marrin pjesë kryeministrat e shtatë vendeve ballkanike.

Organizatorët kanë ftuar edhe shefin e UNMIK’ut, Lamberto Zannier, po ky i fundit atje nuk përfaqëson Kosovën, por vetëm UNMIK’un.

Më herët është thënë se në Konferencën e Bërdos mund të jenë pjesëmarrës edhe Presidenti i Këshillit të Europës, Herman Van Rompuy, por pjesëmarrja e tij mbetet e pasigurt. Në Bërdo të qëndrojë Komisionari i BE’së për Zgjerim, Stefan Fuele.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›