E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk jemi imunë

Presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë se Kosova ka arritur progres të madh që nga shpallja e pavarësisë, por ka theksuar sfidat me të cilat vazhdon të përballet shteti i ri.
Në një intervistë për gazetën “La Libre Belgique”, ai ka deklaruar se Kosova nuk është imune ndaj korrupsionit si fenomen.

“Kosova nuk ka imunitet. Ne duhet të përmirësojmë dhënien e kontratave, të sigurojmë se gjykatat funksionojnë dhe të koordinojmë të gjitha institucionet e drejtësisë. Supozojmë se zyrtarë të lartë janë të implikuar në korrupsion, është një problem i rëndë për t’u menaxhuar, sepse politika ndërhyn”, citohet të ketë thënë Sejdiu, sipas Zyrës së Presidentit.

Ndërsa, i pyetur nëse një pjesëtar i Qeverisë do të ishte i implikuar, kush do ta arrestonte, Presidenti Sejdiu është përgjigjur: “Është një pyetje hipotetike. Drejtësia duhet të vendosë. Askush nuk është mbi ligjin”.

Ai ka folur edhe rreth raporteve të Kosovës me Serbinë, duke akuzuar Beogradin për mbështetje dhe financim të strukturave paralele.

“Është fakt se Beogradi vazhdon t’i mbështesë strukturat paralele në një pjesë të Kosovës. Në vitin 2008 dhe 2009, serbët kanë shpenzuar me qindra miliona euro për të financuar strukturat paralele”.

Presidenti Sejdiu ka thënë se Kosova ka konsoliduar bazën e një zhvillimi të qëndrueshëm dhe nuk janë realizuar prognozat e atyre që janë kundër pavarësisë së Kosovës.

“I kemi themeluar institucionet tona dhe kemi përfunduar legjislacionin tonë, si dhe Kushtetutën. Deri më tani, Kosovën e kanë njohur 65 shtete. Jemi anëtarësuar në FMN dhe në Bankën Botërore. Po ashtu, kemi hapur 21 ambasada. Por sigurisht se si çdo shtet i ri, kemi edhe probleme. Sfida kryesore është zhvillimi ekonomik. GDP’ja ka vlerën 4-5 %. Është e pamjaftueshme”, ka thënë Sejdiu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›