E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Kosova do të punojë për integrim në BE dhe NATO

Nga Express më 12 qershor 2011 në ora 12:51

Dita e Paqes- 12 qershori shënon Ditën e Çlirimit të Kosovës, për të cilën çdo qytetar i vendit tonë ka kontribuar dhe sakrifikuar. Në 12-vjetorin e çlirimit të Kosovës, kujtojmë simbolin e rezistencës së gjithë qytetarëve të Kosovës, babanë e Pavarësisë së Kosovës, komandanti legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjen e tij heroike, thuhet në mesazhin e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, drejtuar qytetarëve të vendit me rastin e 12 qershorit, Ditës së Paqes.

Duke përkujtuar se në këtë përvjetor të shënimit të Ditës së Paqes, Republika e Kosovës është njohur nga 76 shtete të botës, dhe se po arrin suksese të vazhdueshme në të gjitha fushat, kryeministri Thaçi ka thënë se në Ditën e Paqes, falënderimi u takon edhe eprorëve dhe ushtarëve të aleancës më të madhe ushtarake në botë, NATO-s, të cilët në momentet më të vështira dhe më vendimtare u vunë në mbrojtje të vlerave të qytetërimit në Kosovë.

“Në këtë ditë të madhe, institucionet dhe populli i Republikës së Kosovës shprehin mirënjohjen e lartë për SHBA, BE dhe të gjitha vendet e tjera demokratike, të cilat me përkrahjen e vazhdueshme dhe në të gjitha fushat e ndihmuan dhe po e ndihmojnë ndërtimin e shtetit tonë”, thuhet në mesazhin e kryeministrit drejtuar qytetarëve të Kosovës.

Për më tepër, kreu i Qeverisë së Kosovës ka përkujtuar po ashtu se përvjetori i dymbëdhjetë i çlirimit vendin tonë e gjen me fillimin e hovshëm të realizimit të projektit historik - autostradës Vërmicë- Merdare dhe në përgatitjet përfundimtare për fillimin e autostradës tjetër Prishtinë-Shkup.

Kryeministri Thaçi ka siguruar qytetarët e vendit dhe partnerët ndërkombëtarë se institucionet e Kosovës do të punojnë për plotësimin e të gjitha kritereve dhe standardeve për integrim në institucionet euro-atlantike, dhe se agjendë kryesore e Qeverisë që ai drejton është agjenda evropiane.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›