Thaçi: Në veri nuk ka struktura paralele, por kriminale

(E plotësuar) Kryeministri, Hashim Thaçi ripërsëriti qëndrimin se strukturat ilegale serbe në veri nuk mund të sfidojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për shtrirjen e rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Kosovës, dhe se në këtë drejtim këto struktura do të përballen me organet përkatëse të drejtësisë.
“Strukturat ilegale dhe kriminale do të ballafaqohen me drejtësinë. Atje nuk ka struktura paralele, por ka struktura kriminale, të cilat do të ballafaqohen me organet e drejtësisë dhe askush nuk mund të implementojë angazhimet tona për rend dhe ligj dhe për sistemin doganor e policor në pikat kufitare të shtetit të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.
Ai këto komente i bëri pas takimit me kryediplomatin grek, Stavros Lambrinidis.
Lambrinidis, ka thënë të enjten në Prishtinë se vendi i tij mbështet rrugën evropiane të Kosovës, ndërsa ka kërkuar që zgjidhja e problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të bëhet përmes dialogut dhe jo përmes veprimeve të njëanshme.
“Qëndrimi i Greqisë sa i përket Kosovës nuk ka ndryshuar dhe është mjaft i qartë. Unë jam sot këtu që të siguroj që do të qëndrojmë pranë popullit të Kosovës dhe ne do të mbështesim në rrugën evropiane. Dialogu në mes Prishtinës dhe Beogradit është i rëndësisë së madhe. Dialogu mund të zgjidhë shumë çështje në rajon, çdo mënyrë tjetër është e rrezikshme dhe Evropa nuk e mbështet atë. Pra, ju rekomandoj që të fokusoheni në rrugën e dialogut”, ka thënë Lambrinidis.
Ndërsa, kryeministri Thaçi ka thënë se ka njoftuar ministrin grek për të arriturat e Kosovës, reformat politike, ekonomike dhe aspekte tjera demokratike që hapin rrugën për perspektiven evropiane të Kosovës.
“Raportet tona vetëm sa do të avancohen dhe do të jenë raporte si dy vende mike. Natyrisht, kërkesa jonë për njohje gjithmonë është në fuqi, por vendimi është gjithnjë sovran i Athinës dhe ne e mbështetim vendimin e Athinës në bazë të interesave të shtetit dhe popullit grek, por dëshiroj edhe njëherë të falënderoj ministrin, qeverinë greke për mbështetjen e plotë që kanë sjellë një frymë uniteti në Bashkimin Evropian për perspektivën evropiane të Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Gjatë takimit me ministrin grek, kryeministri Thaçi ka ftuar investitorët grekë për investime të reja në Kosovë.
Greqia, Sllovakia, Qipro, Rumania dhe Spanja janë vendet anëtare të BE-së që ende nuk kanë njohur shtetin e Kosovës. /kp/
Lambrinidis: Dialogu, e vetmja rrugë
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Stavros Lambrinidis i ka dhënë mbështetje të fuqishme dialogut të nisur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Pas takimit me kryeministrin Hashim Thaçi dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, Lambridinis ka theksuar se dialogu është e vetmja rrugë evropiane për zgjidhjen e çështjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe jo dhuna dhe përdorimi i armëve.
“Është bindja ime shumë e fuqishme që zgjidhjet jetëgjata mund të vijnë vetëm si rezultat i dialogut dhe kompromisit. Kjo ka qenë pozita e vendit tim në rajon. Armët dhe lufta nuk janë përgjigjeje. Urrejtja dhe ndarja nuk janë përgjigjeje”, ka thënë ai.
Lambrinidis ka thënë se të gjitha vendet e Ballkanit e kanë vendin ne BE.
I pyetur nga gazetarët se kur Athina do të lëvizë drejt njohjes së Kosovës, kryediplomati grek ka thënë se BE nuk flet me një zë dhe se qëndrimi i vendit të tij është i njohur.
Por, ai ka thënë se Greqia do të përkrahë Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave, zhvillimin ekonomik dhe sfera të tjera.
Ndërkaq, Kryeministri Thaçi ka falënderuar ministrin Stavros Lambrinidis për qëndrimin e Greqisë, që Ballkani si tërësi të jetë pjesë e BE’së.
Ai ka thënë se respekton vendimin e Greqisë për mosnjohjen e Kosovës, derisa ka konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit me shtetin grek për shumë çështje të interesit të përbashkët.