E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Nuk do të preket asnjë centimetër e territorit

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi i ka drejtuar një mesazh qeverisë në Beograd se nuk do të lejohet cenimi i tërësisë territoriale të Kosovës.
 

Mesazhi politik i kryeministrit është adresuar gjatë fjalës së tij hyrëse në hapje të mbledhjes së qeverisë pas disa incidenteve të fundit, siç ishte arrestimi i dy policëve kufitar të Kosovës nga xhandarmëria serbe në Mërdar, paralajmërimeve për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe incidenteve të shtuara në veri të Mitrovicës.
 

Thaçi tha se integriteti i Kosovës do të mbrohet me të gjitha mjetet kushtetuese e ligjore.
 

“Kushdo që pretendon qoftë edhe një centimetër të cenojë integritetin territorial të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës e ka mandatin dhe e ka besimin e plotë të përdorë gjithë autoritetin kushtetues dhe ligjor, qoftë edhe përballë xhandarmërisë serbe”, ka adresuar mesazhin e tij Thaçi.
 

Ishte ky adresimi i parë i kryeministrit Thaçi para kabinetit qeveritar pas kthimit të tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ndër të tjera ai u takua me nënkryetarin Xhozef Bajden, sekretaren e shtetin Hilari Klinton dhe shumë personalitete tjera.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›