E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi dënon vrasjen në Veri: Akt terrorist, domosdoshmëri sundimi i ligjit në Mitrovicë

10-04-2012 / Gazeta 55

Kryeministri i Kosovës mban një fjalim në Denver, SHBA

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në një fjalim që ka mbajtur në Universitetin Denver, në shtetin Colorado ka thënë se mbështetja dhe udhëheqja amerikane është e domosdoshme për të siguruar tolerancën, drejtësinë dhe demokracinë, ndërsa duke folur për ngjarjet e fundit në veri e ka quajtur akt terrorist vrasjen e Selver Haradinaj.
Duke folur para studentëve të këtij universiteti në SHBA, Thaçi deklaroi se dy ditë para nisjes për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i është rikujtuar brishtësia e paqes. Ai e ka cilësuar vrasjen e Haradinaj si një akt terrorist të ndodhur prej mungesës së sundimit të ligjit në atë pjesë të vendit. Thaçi më tej u shpreh se një ndër arsyet kryesore për vizitën e tij në SHBA është përpjekja për të vazhduar kërkimin e gjetjes së zgjidhjeve për maratonën e problemeve, që rrethojnë Kosovën. Ai ka deklaruar se ashtu si në procesin e Rambujesë, 13 vjet më parë, si dhe në takimet e Brukselit, udhëheqja shtetërore e Kosovës dëshmon gatishmërinë e vet që t’i pranojë vendimet sfiduese.
Pas Denverit, kryeministri i Kosovës do të vazhdojë vizitën e tij në Nju York, ku pritet të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban ki-Mun. Ndërkohë zyrtarët e Policisë së Kosovës bëjnë të ditur se nata e mbrëmshme në veri të Mitrovicës ka qenë e qetë dhe nuk është raportuar ndonjë incident. 
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti tha se gjendja është e qetë. Ai shtoi se policia vazhdon të jetë e pranishme 24 orë në lagjen e “Tre Rrokaqiejve”, dhe në lagjet e tjera ku ka banorë të komuniteteve të ndryshme. Ende nuk është arrestuar asnjë i dyshuar në lidhje me këtë sulm. Ndërsa një ditë më parë, një grup serbësh në veri të Mitrovicës nuk ka lejuar Policinë e Kosovës që të vendosin pikat statike në lagjen e “Tre Rrokaqiejve”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›