Thaçi e Pacolli bisedojnë për koalicion qeveritar

Kryeministri në largim i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kryetari i Partisë Aleanca Kosova e Re, Behxhet Pacolli janë takuar sot për të diskutuar lidhur me formimin e koalicionit të ri qeveritar.
Në njoftimin e PDK-së thuhet se të dy liderët e partive politike respektive kanë shprehur vullnet politik që të punojnë së bashku për formimin e qeverisë së ardhshme të Republikës së Kosovës, menjëherë pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nga KQZ-ja.
Për më tepër, të dy liderët u zotuan se do të punojnë së bashku për të krijuar një qeveri efektive, transparente, demokratike dhe multietnike, për t`i siguruar Kosovës të ardhmen saj euroatlantike.