E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi fton Sekretarin Ban Ki-Moon ta vizitojë Kosovën

Nga Kosova kërkohet të ketë sa më shumë njohje, ndërsa strukturat ilegale kriminale serbe duhet të shpërbehen. Kështu tha kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi menjëherë pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon. Në një intervistë për Kosovapress, ai ka pohuar se e ka ftuar Ban Ki Moon-in që këtë vit ta vizitojë Kosovën, dhe është shprehur i bindur se kjo do të ndodh. Ndërsa sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ai thotë se ka shprehur shqetësimin e tij për, siç e quan, zhagitjen e këtij procesi nga ana e Serbisë.

Ndërsa për zgjedhjet lokale të Serbisë, Thaçi ka pohuar, se assesi nuk do të mbahen ato në Kosovë.

Kosovapress: Sapo përfundoi takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon, si shkoi takimi?

Thaçi: Ka qenë një takim jashtëzakonisht i mirë, një takim jashtëzakonisht produktiv. Sekretarin e përgjithshëm Ban Ki Moon e informova me zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës, për përpjekjet tona, për forcimin dhe konsolidimin e shtetit tonë, për ndërtimin e Kosovës demokratike, të një shoqërie multietnike, si një atdhe i përbashkët i të gjithë qytetarëve të saj. Natyrisht se kërkohet nga ne të vazhdojmë përpjekjet sa u përket njohjeve të reja, për çka edhe e informova sekretarin e përgjithshëm. Ishte inkurajues mirëkuptimi i tij për forcimin e shtetit të Kosovës në veçanti tash të perspektivës, sepse vizioni jonë është të integrohemi sa më parë edhe në NATO edhe në Bashkimin Evropian por, edhe në OKB. Gjithashtu unë e ftova Sekretarin e Përgjithshëm, Ban Ki Mon që ta vizitojë Kosovën gjatë këtij viti, besoj se kjo do të ndodh. Ndërsa diskutuam edhe për çështjet e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, një dialog ky që del edhe si obligim i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të vitit 2010, për diskutimet në aspektin teknik, dhe natyrisht domosdoshmërinë e implementim të këtyre marrëveshjeve edhe prej Kosovës edhe prej Serbisë, por edhe shpreha shqetësimin tim për zhagitjen e këtij procesi nga ana e Serbisë. Në të njëjtën kohë diskutuam edhe për incidentet e fundit që kanë ndodhur dhe dënojmë mënyrën më të drejtpërdrejt, kidnapimin e dy policëve të Kosovës nga xhandarmëria e Serbisë në territorin e Kosovës. Por diskutuam edhe për pretendimin e Serbisë për të organizuar zgjedhjet lokale në Kosovë. E informova sekretarin e përgjithshëm se zgjedhjet e tilla nuk do të lejohen të organizohen nga Serbia në Kosovë, zgjedhjet lokale, ndërsa do të respektojmë të drejtën e dyshtetësisë që çdo qytetar e ka, por përmes një mekanizmi ndërkombëtar dhe në asnjë rrethanë nën organizimin e shtetit Serb.

Kosovapress: Ju u takuat në kohën kur në Mitrovicë gjendja është shumë e tensionuar. Cili ishte qëndrimi i tij?

Thaçi: Qëndrimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon ishte një qëndrim mbështetës në përpjekjet tona të përbashkëta për rend, qetësi për sundim të ligjit, për dënim të incidenteve dhe në asnjë rreth të mos lejohet që grupe të ndryshme, në veçanti strukturat ilegale kriminale serbe flas, mos të lejohen që të zhvillojnë aktivitetet e tyre, dhe shtrohet domosdoshmëria e shpërbërjes komplete të të gjitha këtyre strukturave.

Kosovapress: Jeni takuar gjatë javë edhe me Sekretaren Hilari Klinton, por edhe me nënpresidentin amerikan, Xho Bajden. A ishte ndonjë konfirmim i tyre prapë, se do të ruhet integriteti i Kosovës?

Thaçi: Mbështetja e SHBA-ve u konfirmua edhe një herë gjatë takimit që zhvillova me zëvendës presidentin Xho Bajden, gjithashtu edhe me Sekretaren e shtetit, Klinton. Është një mbështetje shumë e fuqishme, një mbështetje që do të vazhdojë edhe në të ardhmen, prandaj do të ecim me hapa të sigurt, me hapa të angazhimeve të përbashkëta të shtetit të Kosovës, me SHBA-të, në implementimin e plotë të vizionit tonë që të jemi pjesë edhe e NATO-s edhe Bashkimit Evropian, e në të ardhmen edhe e OKB-së. Mund të them lirisht se SHBA-ja është jashtëzakonisht e inkurajuar me progresin e arritur në Republikën e Kosovës. Me forcimin e shtetit tonë, me rolin tonë për paqe, stabilitet dhe bashkëpunim rajonal, dhe frymën e përgjithshme euroatlantike që po e reflektojmë si Kosovë në gjithë rajonin. Pra raportet tona me SHBA-në do të vazhdojnë të jenë speciale, do të vazhdojnë të jenë të përjetshme, jo vetëm për nevojën e Kosovës, por si vlerë që institucionet e Kosovës, qytetarët e Kosovës kanë përqafuar./kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›