E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi njoftoi edhe AAK'në për takimin me Daçiqin

(E plotësuar) Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në një takim nënkryetarin e AAK-së, Blerim Shala, ku sipas një njoftimi të kabinetit qeveritar, temë diskutimi ishte takimi i Kryeministrit Thaçi me Përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, Baroneshën Catherine Ashton dhe me Kryeministrin e Serbisë, Ivica Daciq.

"Kryeministri Thaçi e informoi nënkryetarin e AAK-së, Shala rreth takimit. Ishte konkludim i përbashkët që të vazhdohet me procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, që do të kontribuonte në krijimin e raporteve ndërshtetërore dhe të stabilitetit rajonal dhe perspektivës Evropiane", thuhet në komunikatë.

Thaçi informoi Presidenten Jahjaga për takimin në Bruksel

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi është takuar me presidenten Atifete Jahjaga, të cilën e ka informuar lidhur me takimin me kryeministrinë e Serbisë, Ivica Daçiq të premten në Bruksel.

Në një komunikatë për opinion, të lëshuar nga kabineti i presidentes, kryeministri Thaçi citohet ta ketë vlerësuar takimin “si konstruktiv, të zhvilluar ndërmjet të barabartëve, që ndihmon në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve në kuadër të ndërtimit të politikave të fqinjësisë së mirë, kusht ky për integrimin e shteteve në Bashkimin Evropian”.

Presidentja Jahjaga ndërkaq, ka dhënë mbështetjen e institucionit që ajo udhëheq për kryeministrin në procesin e dialogut dhe arritjes së konsensusit institucional dhe kombëtar, duke e konsideruar dialogun “jo vetëm si rrugën më të mirë, por si alternativën e vetme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dy shtete sovrane dhe si fqinjë që kemi pasur një të kaluar të hidhur”.

Siç transmeton RTK, Kryeministri Thaçi, po për këtë çështje tashti është duke zhvilluar takime me përfaqësues të EULEX-it, ndërsa gjatë ditës pritet të takohet me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën dhe nënkryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shalën.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›