Thaci optimist per vizat
Ai kërkoi nga Parlamenti që të punoj papushim gjatë verës në mënyrë që t’i miratoi 40 projektligjet të cilat ndërlidhen me proçesin e liberalizimit e vizave me BE-në dhe raportin e progresit të Komisionit Europian.
“Tani më shumë çka varet nga puna ose mos puna e parlamentit nëse këto projektligje miratohen para 1 shtatorit atëherë gjasat janë reale apo mund të konfirmohet se proçesi i dialogut të liberalizimit të vizave mund të jetë i sigurt për Kosovën, kështu që është një përgjegjësi i gjithë”, është shprehur Thaçi.
Kryeministri Thaçi nuk u përgjigj në pyetjen se kur Kosova do t’i bëjë publike marrëveshjet e arritura me Serbinë. Ai u ndal në axhendën europiane të Kosovës gjë për të cilën, sipas kryeministrit, në Bruksel ka konsensus të plotë sikurrë ndonjëherë më parë.
Zoti Thaçi njoftoi se Kosova tashmë i ka siguruar votat e mjaftueshme për anëtarësim në Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim. Sa i përket dialogut kjo çështje është e shtetit të Kosovës është përgjegjësi shtetërore dhe në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës.
Nga ana tjetër partia më e madhe opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se këto marrëveshje nuk janë në përputhje me Kushtetutën e republikës së Kosovës.
LDK-ja insiston në publikimin e marrëveshjeve dhe ratifikimin e tyre nga Kuvendi. Deputetja Vjosa Osmani iu referua nenit 18 të Kushtetutës i cili kërkon që marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikohen me 2.3 e votave.
Në mungesë të ratifikimit ato, sipas deputetes Vjosa Osmani, mbesin marrëveshje personale ndërmjet zëvendëskryeministres Edita Tahiri dhe përfaqësuesit të Serbisë Borko Stevanovic.
LDK-ja po kështu kërkon që të caktohet data e përfundimit të proçesit të dialogut. Kjo për shkak se siç argumenton kjo parti, dialogu do të shndërrohet në një proçes zvarritës në favor të Serbisë e cila është deklaruar se është e interesuar ta shndërrojë Kosovën në një konflikt të ngrirë.