Thaçi premton mbështetje të fortë për komunën e Ranillukut
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka qëndruar ditën e djeshme në komunën e re të Ranillukut, të dalë nga zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Kryetari i Ranillukut, Gradimir Mikic, ka thënë se është impresionuar nga ato që ka dëgjuar kryeministri Thaçi. Kryeministri ka premtuar se shumë shpejtë në qendër të Ranillukut do të fillojë ndërtimi i objektit të ri të komunës, rrugëve të reja, një shkolle të re, ambulance, dhe rregullimi i rrugëve lokale. Ai ka thënë se, ky është vetëm fillimi dhe një
fillim shumë i mbarë. Ne jemi të përkushtuar dhe po punojmë maksimalisht si qeveri e Kosovës dhe si autoritete komunale që të zbatojmë në përpikëri planin Ahtisaari dhe në pajtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës për funksionalizimin e komunave të reja, theksoi Thaçi, duke shtuar se po ndërtojmë Kosovë demokratike e shumetnike dhe do të jemi në mbështetje të plotë edhe të komunave të reja. Në anën tjetër, kryetari i Ranillukut, Gradimir Mikic, tha se është impresionuar nga fjalët dhe premtimet konkrete të kryeministrit Thaçi për ndihmat në zhvillimin ekonomik dhe ndërtimit të infrastrukturës. Na presin punë dhe angazhime të shumta në funksionalizimin e tërësishëm të komunës, por besojmë në ato që premtoi kryeministri, pasi ishte shumë i qartë e konkret rreth ndihmave të qeverisë së Kosovës për komunën e Ranillukut, tha Mikic.
Last Updated on E Shtune, 13 Shkurt 2010 21:50