Valentines day, takim me dashurinë
Valentines Day, romanca e bukur me nuanca komike, një histori e ngritur mbi dhjetë histori dashurie, filloi të shfaqet botërisht, në prag të festës së Shën Valentinit. Natyrisht filloi të projektohet edhe në Tiranë, ku kinema Millennium përveçse ka sjellë premierën botërore për publikun organizoi edhe një premierë të posaçme për 250 të ftuar, mbrëmjen e së shtunë. Filmi bashkon në ekranin e madh, yjet më të spikatur të dy brezave në kinemanë amerikane
si Julia Roberts, Topher Grace, Anne Hathaway, Bradley Cooper , Ashton Kutcher, Jessica Alba, Jessica Biel, Jennifer Garner , Queen Latifah, Shirley MacLaine, Bradley Cooper, Ashton Kutcher, Patrick Dempsey, Eric Dane, Jamie Foxx, Taylor Lautner apo Emma Roberts. Valentines Day është një film që ka të gjitha shanset për tu pritur me padurim dhe për tu parë me interes nga publiku në mbarë botën. Kjo jo vetëm sepse tema e dashurisë është për të gjithë dhe jo vetëm për faktin që i vendos ngjarjet në ditën e Shën Valentinit. Një arsye e fortë për të besuar se filmi do të përcjellë emocione e do të jetë një romancë e denjë është fakti që ai është drejtuar nga një regjisor që këtë gjini e ka thuajse të tijën në karrierë. Është pikërisht Garry Marshall, regjisori i romancës më popullore që Hollivudi ka realizuar në historinë e tij, Pretty Woman, që daton në vitin 1990.