E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi uron SHBA-në për Ditën e Pavarësisë

Nga Express më 04 korrik 2011 në ora 12:37

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e ka përgëzuar presidentin e SHBA-ve, Barak Obama dhe popullin amerikan me rastin e 4 Korrikut - Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve.

Në urimin e kryeministrit thuhet se Dita e Pavarësisë së SHBA-ve është ndër ngjarjet më të rëndësishme historike dhe politike të njerëzimit, ku 235 vjet më parë u krijua shteti që u bë simbol i lirisë, demokracisë dhe vlerave universale.

“Kjo ditë ka frymëzuar popuj e kombe, lëvizje politike e ngjarje të mëdha në tërë botën, për të realizuar ëndrrat dhe idealet e lirisë, për të krijuar vende, shoqëri dhe kombe të lira e të emancipuara”.

Edhe në këtë rast, kryeministri Thaçi ka përmendur faktin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur rol historik në mbrojtje të popullit shqiptar në përgjithësi, dhe veçanërisht në përkrahjen e Kosovës në vitet 1998, 1999, që u kurorëzuan me çlirimin e Kosovës dhe hapjen e një perspektive të re.

“Jeta e lirë dhe ndërtimi i institucioneve të reja në Kosovë, të mbështetura vazhdimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet mike, bënë që vendi ynë ta realizojë ëndrrën me të madhe historike, Pavarësinë e Kosovës, më 17 shkurt 2008. Institucionet dhe qytetarët e Kosovës u janë mirënjohës përjetë SHBA-së dhe popullit amerikan për kontributin e jashtëzakonshëm në çlirimin e Kosovës dhe në përkrahjen për ndërtimin e institucioneve të reja dhe demokratike”, thuhet në urimin e shefit të Qeverisë së Kosovës.

Ndër të tjetra, Thaçi thekson se Kosova dhe institucionet e saj janë përkrahës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vlerësojnë lart kontributin e tyre në ruajtjen e paqes, krijimin e stabilitetit dhe përhapjen e vlerave globale anembanë botës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›