E Hënë, 2 Nëntor 2026

Thaçi uron shqiptarët nga Haga: Dita e Flamurit duhet respektuar

TIRANË, 28 nëntor /ATSH/ Ish-presidenti Hashim Thaçi uroi sot shqiptarët për festën e 28 Nëntorit gjatë një seance gjyqësore në Hagë, ku edhe po gjykohet.

Thaçi i cili ndodhet në paraburgim, iu drejtua gjykatës për të shprehur revoltën e tij, që seanca u zhvillua pikërisht më 28 Nëntor. Sipas tij, caktimi kësaj date duhet të ishte evituar.

Thaçi i bëri thirrje kombit të festojë këtë ditë të shenjtë të bashkuar dhe me krenari. Ai shprehu besimin se nëntorët e ardhshëm, shqiptarët do t’i festojnë gjithmonë së bashku.

“E mirëpres mbajtjen e kësaj seance, për këtë arsye jam edhe sot në këtë seancë, sepse jam i përcaktuar për respektimin e shtetit ligjor. Por, i nderuari gjyqtar, është me interes që në këtë gjykatë që të mos ndodhin gjëra që s’lejohet të ndodhin në shtetet tuaja përkatëse. Si çdo popull, edhe ne shqiptarët, i kemi historinë, traditat dhe vlerat kombëtare shtetërore. Caktimi i kësaj seance sot, më 28 nëntor, do të duhej evituar. Për mua dhe çdo shqiptar është befasi jo e mirë.

“I nderuar gjyqtar, sot çdo shqiptar ka festë kombëtare, shtetërore dhe familjare, sepse është festa e dinjitetit dhe krenarisë kombëtare, ku si çdo popull i lirë në botë feston dhe kujton. Sot çdo familje shqiptare, kujton dhe feston. Prandaj, mua nuk më mbetet tjetër, veç t’i uroj shqiptarët për festën e 28 nëntorit, të festojnë të bashkuar, krenarë dhe me dinjitet. Besoj që nëntorët e tjerë do t’i festojmë bashkërisht”, tha Thaçi.

Që nga nëntori i vitit 2020, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjendet në paraburgim në Hagë, pasi ndaj tij rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›