Thaçi fiton zgjedhjet, “Vetëvendosja” nuk është më surprizë, por parti e tretë

Hashim Thaçi pritet të marrë mandatin për ndërtimin e qeverisë së re të Kosovës, pasi Partia Demokratike që ai drejton ka dalë forcë e parë në exit poll-et e publikuara pas mbylljes së vendvotimeve në të gjithë Kosovën. Sipas rezultateve të publikuara nga exit poll-i PDK ka marrë shumicën relative dhe sipas analizave paraprake është e paraparë formimi i një qeverie të re me PDK-në, AAK-në dhe AKR-në, megjithëse ditën e sotme pritet që zhvillimet politike të marrin një formë më zyrtare pas publikimit të rezultateve paraprake nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Exit poll-iMenjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit, qendra hulumtuese “Gani Bobi” ka publikuar rezultatet e anketës së zhvilluar gjatë votimit me 2 mijë zgjedhës në të gjithë vendin. Sipas rezultateve të kësaj ankete të kryer me mbi 2 000 votues pas daljes së tyre nga vendet e votimit, del se PDK-ja ka fituar rreth 31 për qind të votave, LDK-ja 25, “Vetëvendosja” 16, AAK-ja 12.5, AKR-ja 6.5, FER-i 4.5, LDD-ja 2.5 dhe të tjerat subjekte 2 për qind të votave. Shkëlzen Maliqi, drejtues i këtij exit polli tha se gabimi i këtij vlerësimi mund të jetë deri në 3.5 për qind, por theksoi se rezultatet e publikuara kurrsesi nuk mund të merren si të sakta, por vetëm si një tendencë.
Në konferenca të ndara për gazetarë, shumë shpejt pas publikimit të rezultateve të exit pollit, kanë reaguar AAK-ja dhe LDK-ja. Besnik Tahiri i PDK-së e ka kontestuar këtë rezultat dhe e ka quajtur të manipuluar nga PDK-ja, sikundër edhe Arben Gashi i LDK-së, i cili ka thënë se sipas rezultateve që ka shtabi zgjedhor i kësaj partie, LDK-ja ka fituar në Prishtinë dhe në disa komuna tjera në Kosovë dhe kjo e demanton rezultatin e anketës dalëse të qendrës Gani Bobi. E reja e këtyre zgjedhjeve, gjithmonë sipas rezultateve të exit poll-it është një rezultat shumë pozitiv i dy forcave krejt të reja në zgjedhje: përkatësisht: Lëvizjes “Vetëvendosje” të Albin Kurtit dhe Forcës së Re Politike.
PDKZyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në konferencën e parë pas mbylljes së kutive të votimit, kanë thënë se kanë informacionet e para për rezultatin e zgjedhjeve i cili është shumë pozitiv, por nuk japin shifra, ndërkohë që si zakonisht, paralajmëruan festë në Sheshin 21. Pavarësisht se janë evidentuar disa probleme gjatë ditës, sipas tyre, kjo nuk do të ndikojë në legjitimitetin e zgjedhjeve.
LDK dhe AAKLidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re kanë reaguar kundër rezultateve të prezantuara nga exit poll “Gani Bobi”, e cila nxjerr fituese Partinë Demokratike të Kosovës. Rezultatet e prezantuara nga “Gani Bobi”, këto parti i kanë quajtur tendencioze. Në reagimin e AAK-së thuhet se “rezultati i exit poll-it të Organizatës ‘Gani Bobi’ është tendencë për manipulim me votën e lirë dhe, njëkohësisht, veprim që nuk kontribuon aspak në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të lirë dhe demokratik. AAK konsideron se ky rezultat, përveç që është joserioz dhe jokredibil, ka për synim të krijojë rrëmujë dhe mjegull te qytetarët dhe hapësirë për manipulim të votave gjatë procesit të numërimit”. Po ashtu, këto parti janë ankuar se në disa vendvotime ka pasur parregullsi.