E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet mbyllen me incidente të vogla dhe me rritje të pjesëmarrjes

Rreth 50% e kosovarëve votuan për Parlamentin e ri të shtetit

Kosova ka zhvilluar zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në një atmosferë totalisht të qetë, duke sjellë një pjesëmarrje të rritur nga zgjedhjet e kaluara dhe sipas të dhënave paraprake, më shumë se 50 për qind e qytetarëve të Kosovës të regjistruar si zgjedhës kanë votuar dje për Parlamentin e ri. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2007 votuan pak më shumë se 40 për qind e zgjedhësve të regjistruar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, menjëherë pas orës 19.00, ka bërë të ditur se janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit, përveç atyre ku mund të ketë pasur njerëz në pritje për të votuar. Procesi u hap në orën 07.00 të mëngjesit dhe në orën 19.00 u mbyll zyrtarisht në 746 qendra dhe 2280 vendvotimeve në të gjithë Kosovën. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të gjitha qendrat janë mbyllur dhe pas orës 19.00 kanë mundur të votojnë vetëm qytetarët, të cilët kanë qenë brenda objektit të qendrës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka vlerësuar procesin zgjedhor përgjithësisht pa probleme. Por gjithsesi partitë politike kanë denoncuar incidente në disa nga qendrat e votimit. PDK-ja ka akuzuar LDK-në se simpatizantët e saj po bëjnë presion mbi qytetarët që të votojnë për LDK-në. Kjo e fundit, nga ana tjetër, ka mohuar akuzat, duke bërë të tjera akuza në drejtim të PDK-së, siç janë, p.sh. mbushjet e kutive nga komisionarët e PDK-së pas orës 16.00 në rajonin e Drenicës. Problemet më të mëdha të raportuara nga Demokracia në Veprim janë ato që kanë ndodhur në pjesën veriore të Kosovës, ku qytetarët serbë janë penguar të votojnë. KQZ-ja kishte dërguar ekipe të lëvizshme, por ato u mbyllën tre orë përpara, pas kërcënimeve nga radikalët serbë. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, në konferencën e fundit tha se procesi i votimit ka ecur mirë dhe në përgjithësi ka qenë i qetë.

Incidentet

Rrjeti i organizatave joqeveritare informoi për disa incidente që vëzhguesit e saj në terren anembanë Kosovës i kanë regjistruar në votimet e djeshme. Ndër incidentet më të rënda është ai i evidentuar në Prizren, në qendrën e votimit në Tusus, ku është arrestuar koordinatori i vëzhguesve të Partisë së Bashkimit Demokratik të Prizrenit (partia e Zafir Berishës në koalicion me AAK-në), për posedim të armës. Sa u përket parregullsive të tjera, Demokracia në Veprim ka përmendur rastet e votimeve të dyfishta në Obiliq, ku një zyrtar i lartë i degës së PDK-së ka votuar dy herë në dy vendvotime të ndryshme. Zyrtari në fjalë është shoqëruar nga persona të tjerë, të cilët votuan dy herë. Po ashtu, një zyrtar i lartë i Shoqatës së Veteranëve të Luftës, dega Obiliq, gjithashtu është evidentuar duke votuar dy herë në këtë komunë. Në Plemetin është evidentuar votim i shumëfishtë nga një votues. Votime të shumëfishta ka pasur edhe në Mitrovicë, Suharekë, Ferizaj dhe Prishtinë. Demokracia në Veprim ka evidentuar parregullsi edhe në Carravran të Malishevës, ku vëzhguesi i DV është kërcënuar nga ana e komisionerëve se do të largohet nga vendvotimi. Në fshatin Lugishtë e Hasit, zyrtarë të PDK-së kanë shpërndarë mbushje të telefonit brenda hapësirës së vendvotimeve. Vëzhguesit e DV-së kanë raportuar edhe për raste të shpeshta, ku vëzhguesit e subjekteve politike kanë bërë propagandë te votuesit për të votuar për subjektet që ata përfaqësojnë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›