E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi, i gatshëm për koalicion me të gjithë, veç “Vetëvendosjes”

Në Prishtinë nisin ecejaket dhe bisedimet jo publike, për formimin e qeverisë së re

Kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi, njëherësh kryesuesi i Partisë Demokratike të Kosovës, që ka fituar shumicën sipas rezultatit të shpallur zgjedhor, ka thënë se është i hapur të bëjë koalicion me secilën parti politike, përveç lëvizjes “Vetëvendosje”.
“Unë do t'i zgjedh partnerët më të mirë që i përshtaten konceptit tim dhe vizionit për një Kosovë euroatlantike. Unë jam për një rajon pa kufi në Europën e Bashkuar”, ka thënë Thaçi, në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Reuters”. 
Ndërsa PDK-ja ka dalë e para në zgjedhjet e para pas pavarësisë, partitë e tjera dhe vëzhguesit e pavarur, janë ankuar për parregullsi në dy bastionet e Thaçit, ku pjesëmarrja ka qenë më shumë se 90 për qind -shumë më tepër sesa 48 përqindëshi i mesatares kombëtare. 
“Kjo ka qenë politikisht e planifikuar për të tërhequr vëmendjen prej fitores së thellë të PDK-së… në 20 komuna”, ka thënë Thaçi. 
Ai ka thënë se do të respektojë çdo vendim që vjen nga institucionet, ndërkohë që Komisioni Qendror Zgjedhor ende nuk ka vendosur nëse duhet të ketë përsëritje të zgjedhjeve të pjesshme.
I pyetur nëse pas zgjedhjeve pret hetime nga EULEX-i për korrupsion, ai ka thënë se nuk as informacione e as indikacione. 
“Por, në asnjë rrethanë, njerëzit që janë të korruptuar, s'do të jenë pjesë e qeverisë sime”, ka thënë Thaçi.

KQZ: Kishte parregullsi votat e 63 vendvotimeve në karantinë

Institucioni që administron procesin zgjedhor në Kosovë ka pranuar se ka pasur parregullsi në votimet e së dielës. Pa lejuar pyetje dhe pa e zgjatur muhabetin, drejtues të KQZ-së kanë konfirmuar se procesi është karakterizuar nga keqpërdorime të llojeve të ndryshme. Në mbledhjen e sotme është prezantuar raporti lidhur me procesimin e materialeve zgjedhore nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Materiali zgjedhor i ardhur në QNR nga komunat është pranuar, ka raportuar Indekz on-line. Kryeshefi i SKQZ-së, Xhemajl Peqani, njoftoi anëtarët e KQZ-së me kërkesën e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP-it), për sigurimin e dokumentacionit të nevojshëm, duke përfshirë kopjen e listës përfundimtare të votimit, kopjet e librit të votimit dhe kopjet e formularit të përputhjes së rezultateve nga qendrat e votimit në Deçan, Skenderaj dhe Drenas, janë vendosur në karantinë. 
Votat e 63 vendvotimeve janë të vendosura në karantinë, u bë e ditur në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. 
Kryetarja Valdete Daka tha se paneli zgjedhor për ankesa dhe parashtresa ka kërkuar dokumentacion shtesë për 22 qendra të votimit nga komunat Drenas, Skenderaj dhe Deçan.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›