The Economist: PS vjen në pushtet në 2013-ën
Kriza ekonomike që ka prekur vendin si dhe pritshmëritë për ulje të ecurisë së ekonomisë për vitin 2013, janë shkaku kryesor që qeveria Berisha të mund të humbë zgjedhjet e ardhme. Ndërsa shanset që Partia Socialiste të vijë në pushtet janë të mëdha. Ky është konkludimi i raportit të radhës së njësisë ekonomike të inteligjencës, me seli në Londër, që bën një përshkrim të hollësishëm të situatës politike në vend.
Studimi i The Economist
Duke iu referuar këtij raporti, të publikuar në gusht, evidentohet se zoti Berisha nuk ka më shanse që të luajë me tezën e zgjedhjeve të parakohshme, kjo pasi Partia Socialiste është më solide, ndërsa bashkëpunimi Berisha-Meta pritet të zgjasë deri në fund të mandatit, për shkak edhe të pafajësisë që ky i fundit mori në gjykatë pas akuzave për korrupsion. “Z. Berisha nuk ka më mundësi për të zhvilluar zgjedhje të parakohshme, pasi dobësitë e liderit socialit pas konflikteve në PS janë tejkaluar dhe partia opozitare duket më unike. PS e ka lënë pas politikën e saj të protestave në rrugë dhe tashmë ka një qasje më konstruktive duke u mbështetur në tezen ekonomike. Ndaj do të ishte e rrezikshme që të kishte zgjedhje të parakohshme në këtë stad.
Zgjedhjet 2013
Megjithatë, rritja e dobët ekonomike në 2012-ën dhe pritshmëritë e ulëta në 2013 pritet të sjellin një rënie të popullaritet të qeverisë dhe Partia Socialiste ka shanse të forta për të ardhur në pushtet, pas dështimit të dy palë zgjedhjeve radhazi,” thuhet në raport. Por kur ndërkombëtarët apelojnë për realizimin e reformave, me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat, raporti që analizon periudhën e verës evidenton se shanset janë të pakta që ky vendim të merret brenda këtij viti. “Zgjedhjet parlamentare të 2009 si dhe ato lokale në 2011 treguan se Shqipëria nuk është ende gati të mbaje zgjedhje që të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Megjithatë, edhe pse në korrik u arrit një marrëveshje për reformën zgjedhore, e cila nëse zbatohet ofron mundësi për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si dhe gatishmëria që po tregohet për të hequr imunitetet e zyrtarëve të lartë, ‘Economist Intelligence Unit’ mendon se Shqipëria ka shanse të pakta për të marrë statusin e vendit kandidat brenda parashikimeve. Që kjo të ndodhë duhet të zgjidhen mosmarrëveshjet me opozitën,” vijon raporti. “Economist Intelligence Unit”, është një suplement i specializuar i revistës prestigjioze britanike “The Economist”, që bën analiza ekonomike dhe politike për shume vende të botës. Raportet e saj janë tremujore dhe në to evidentohen zhvillimet për çdo shtet. (V+)