E Shtunë, 31 Tetor 2026

"The Economist": Zgjedhjet, e zhytën Shqipërinë në krizë

Prestigjiozja "The Economist" në një artikull të posaçëm për Shqipërinë, raporton mbi zhvillimet më të fundit në vendin tonë duke evidentuar disa nga "pikat e dobëta" që ende po i zënë frymën Shqipërisë. Revista e mirënjohur flet gjatë për krizën në Shqipëri duke nënvizuar se ajo është politike dhe po thellohet edhe më shumë me zgjedhjet e 8 majit.
 

Pasi pasqyron arritjet dhe ngecjet e vendeve në veçanti, "The Economist" konstaton se ndoshta më shqetësuesja është gjendja në Shqipëri, "e cila është paralizuar që nga zgjedhjet e kontestuara të vitit 2009".
 

Zgjedhjet e 8 majit të vitit 2011, "mund t`i kenë keqësuar punët edhe më shumë". Revista, vëren se "progresi i Shqipërisë drejt BE-së është ndalur". Revista e përjavshme prestigjioze londineze ka botuar dy shkrime për Ballkanin dhe perspektivën e hyrjes së vendeve të tij në Bashkimin Europian, pas arrestimit të Ratko Mlladiçit, gjeneralit serb të akuzuar për genocid në Bosnje.

"Dalëngadalë drejt europës", titullohet njëri shkrim, në të cilin thuhet se Kosova ka ngecur në vend. "Për ta ditur se sa mbrapa ka mbetur, kosovarët janë tani populli i vetëm në Ballkan që nuk mund të udhëtojnë pa viza në hapësirën e Shengenit në Unionit Evropian".
 

Ndërsa në artikullin tjetër me titull "Arresti dhe përtëritja", që është një variant më përgjithësues në të njëjtën temë, revista thekson se për Serbinë më e lehtë ka qenë të ekstradohej Mlladiçi sesa të heqë dorë nga Kosova. Disa vende të BE-së duan që Tadiç të ndërmarrë një hap "vendimtar" për çështjen e Kosovës - duke lejuar kalimin e kosovarëve dhe të eksporteve të tyre nëpër Serbi, para se të fillojnë bisedat e Serbisë për anëtarësim në BE- vlerëson "The economist".
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›