“The Guardian”: Gjermania i bën thirrje Francës të rrisë shpenzimet e mbrojtjes

LONDËR, 16 shkurt /ATSH/- Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul i ka bërë thirrje Francës të rrisë shpenzimet për mbrojtjen, duke theksuar se vetëm në këtë mënyrë mund të bëhet realitet vetë-mjaftueshmëria evropiane në fushën e sigurisë, sipas “The Guardian”.
Në një intervistë për transmetuesin publik gjerman “Deutschlandfunk”, Wadephul deklaroi se presidenti francez, Emmanuel Macron ka diskutuar shpesh dhe me të drejtë për sovranitetin evropian, ndërsa shtoi se kushdo që fliste rreth kësaj duhej të vepronte në përputhje me rrethanat në vendin e vet”.
Deklarata e Wadephul vjen në një kohë kur fuqitë evropiane po përballen me presion në rritje për të forcuar kapacitetet e tyre mbrojtëse, mes pasigurive mbi angazhimin SHBA-së për të mbrojtur aleatët e NATO-s në rast sulmi.
Në samitin e qershorit të kaluar, vendet anëtare të NATO-s u zotuan të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2035. Megjithatë, sipas Wadephul, progresi drejt këtij objektivi kishte qenë i pamjaftueshëm, përfshirë edhe Francën.
Nga ana e saj, Gjermania ka përjashtuar shumicën e shpenzimeve të mbrojtjes nga “frenimi i borxhit” kushtetuese dhe ka parashikuar mbi 500 miliardë euro për sektorin e mbrojtjes për periudhën 2025–2029. Franca, ndërkohë, po përballet me tensione të forta mbi shpenzimet publike dhe renditet e treta në BE për nivelin e lartë të borxhit, pas Greqisë dhe Italisë.
Kritikat gjermane vijnë në një moment fërkimesh në aleancën franko-gjermane, e konsideruar tradicionalisht si motori i bashkëpunimit në Bashkimin Evropian. Berlini ka refuzuar thirrjet e Macron për borxh të përbashkët evropian për investime, ndërsa ka mosmarrëveshje edhe për projektin e avionit luftarak të gjeneratës së ardhshme dhe për paktin tregtar mes BE-së dhe vendeve të Amerikës së Jugut.
Gjatë hapjes së Konferencës së Sigurisë në Mynih, kancelari gjerman, Friedrich Merz paralajmëroi për kërcënimin që paraqet Rusia për Evropën dhe bëri thirrje për rikthimin e besimit transatlantik. Ai pranoi gjithashtu se ka zhvilluar bisedime fillestare me Macron mbi mundësinë e përfshirjes së Gjermanisë në “ombrellën” bërthamore franceze.
Megjithatë, ideja e një mbrojtjeje bërthamore evropiane përtej garancive amerikane ka nxjerrë në pah mosmarrëveshje brenda koalicionit qeverisës gjerman. Wadephul tha se
“Ka mjaftueshëm armë bërthamore në botë”, tha Wadephul, duke paralajmëruar për rrezikun e krijimit të përshtypjes se SHBA-ja mund të tërhiqet nga mburoja mbrojtëse.
Edhe zëvendëskancelari Lars Klingbeil konfirmoi se Berlini do të vazhdojë të mbështetet në sistemin e parandalimit bërthamor të NATO-s dhe nuk ka plane për të siguruar armë të veta atomike, një opsion nga i cili Gjermania ka hequr dorë sipas traktateve ekzistuese.
Debati mbi rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe të ardhmen e sigurisë evropiane po zhvillohet në një klimë të tensionuar gjeopolitike, me theks të veçantë te kërcënimi rus dhe nevoja për një koordinim më të fortë brenda NATO-s dhe Bashkimit Evropian. //a.i/