The Huffington Post: Në Shqipëri fushatë elektorale e çmendur
Fushata zgjedhore për 23 Qershorin ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Fron Nahzi një analist iThe Huffington Post , analizon fushatën dhe premtimet e partive politike.
“Është një fushatë elektorale e çmendur, pak a shumë si personazhet e komedisë epike amerikane të vitit 1963. Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri kanë mbledhur së bashku një kast me personazhe të vjetër e të rinj të evolucionit demokratik në Shqipëri. Të gjithë premtojnë anëtarësimin në BE, fundin e korrupsionit dhe zhdukjen e papunësisë (përllogaritet se 28 përqind e rinisë është e papunë. Së fundmi partia në pushtet e ka ngritur pjacën dhe ka premtuar lëvizje pa viza për në Shtetet e Bashkuara” shkruan Fron Nahzi .
Sipas analizës, ky kast drejtohet nga i plakuri Sali Berisha, i vetëshpallur gardian i demokracisë, aktualisht kryeministër dhe lider i Partisë Demokratike në pushtet. Sfiduesi i tij është i riu Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste, ish- kryebashkiak i Tiranës, që preferon biftekun tartar në një vend ku gatimi i plotë është një normë.
Të dy liderët pretendojnë se vota për partinë e tyre do të ndryshojë vendin.
“Lojtari kyç është Ilir Meta, drejtues i Lëvizjes Socialiste për Integrim, një fraksion që doli nga shkëputja prej Partisë Socialiste në vitin 2004. Me një votë popullore të qëndrueshme prej 5 përqind, Meta ka marrë rolin e kingmaker-it. Me një avantazh prej shtatë pikësh në sondazhet më të fundit, socialistët e Ramës pritet që të fitojnë zgjedhjet. Por fushata elektorale në Shqipëri nuk nis e nuk mbaron me zgjedhjet. Ky është një sport që zgjat gjithë sezonet. Humbësit nuk ndalojnë se ankuari dhe fituesit nuk i lënë kurrë lëvdatat” shkruan Fron Nahzi në analizën e tij.
Premtimet e bëra gjatë fushatës harrohen shumë shpejt dhe menjëherë nis e adoptohet politika e tregimit me gisht. Për më shumë se 20 vite secila parti ka premtuar ndryshime në vend, por asnjë parti nuk ka vullnet për të ndryshuar. Dhe i vetmi ndryshim që do të shohë publiku është më pak para në llogaritë bankare offshore të liderëve të tyre dhe më shumë para në xhepat e tyre ose një udhëtim pa viza për në SHBA!