E Diel, 1 Nëntor 2026

Thembra e Akcilit

Pjesa më e madhe e këtyre prozave janë publikuar për afro një vit e gjysmë në gazetën tonë online Start. Libri botohet nga Shtëpia Botuese “Zambaku” dhe del për herë të parë në Panairin e Librit që zhvillohet këto ditë në Tiranë. Nesër nga ora 16:00-17:00, shkrimtari Agron Tufa do të jetë në stendën e Shtëpisë Botuese “Zambaku” për të prezantuar librin.

Pasfjalë e autorit për botimin e parë

Prozat e shkurtra të këtij libri kanë një dallim thelbësor nga krijimtaria ime artistike në poezi, prozë të gjatë apo ese. Diku më shumë, diku më pak, në këto proza të shkurtra ndërthuren elemente dhe të poezisë, dhe të prozës romanore, dhe të esesë. Kështu, përgjatë afro dy vjetëve kur u shkruan prozat e shkurtra të këtij vëllimi (2007-2009) interesi im krijues ka qenë kërkimi i një forme sa më të përshtatshme shprehëse dhe komunikuese, duke patur si impuls parësor jo më imagjinatën e pastër letrare, sikundër ndodh në poezitë, romanet, tregimet apo novelat, por me të ashtuquajturën “lëndë e gjallë”, e përftuar nga kontakti i drejtpërdrejtë me realitetin. Pra, ndryshe nga procedimet e kulluara letrare, në këto proza jam përpjekur të paraqes atë realitet që kam parë dhe që e njoh mirë dhe vetëm në bazë të këtij materiali të vërtetë, të mund të krijoj një kornizë letrare të përshtatshme, duke shpalosur trajektore të shkurtra përjetuese, meditative dhe alegorike. Nëse në krijimtarinë e kulluar letrare përparësi ka qenë imagjinata, në këto proza të shkurtra përcaktues është realiteti konkret i përjetuar drejtpërdrejt apo tërthorazi, me ndërmjetësinë e një tjetri, të ngjashëm me mua apo me lexuesin. Nxitje për këtë ka qenë një frazë e ndeshur në një tregim të Vladimir Nabokovit, që përmendet në njërën nga prozat: “Jeta është shumë herë më e papritur dhe më e talentuar se ne”.
Perspektiva e këtyre prozave të shkurtra, të cilat unë i quaj miniatura, krijohet vetvetiu, në masën e shpërfaqjes së profilit të brendshëm të lëndës me zanafilla të ndryshme - nga historia, përditshmëria private apo shoqërore në provinca apo peisazhe urbane. “Lënda e gjallë” përfshin kontaktet e mia të drejtpërdrejta me “aktorë” nga shtresime të gjithëmundshme sociale, përplasjen dhe kryqëzimin me mendësitë dhe ndërgjegjet e tyre në situata paradoksale të përditshmërisë sonë.
Fijet e një ndërgjegjeje të filtruar nën trysninë e realiteteve dhe rrethanave përcaktojnë atë që rëndom quhet “tipologji psikosociale”, “arketip”, apo “psikopatologji shoqërore”, që përbën dhe forcën e reagimit tok me “efektet anësore”, të projektuara në këto proza. Sigurisht, qëllimi im kryesor nuk ka qenë interesi psikologjik apo patologjik. Përkundrazi, ajo që më ka shtyrë më fort ka qenë tronditja mbi pamundësinë e dialogut me njerëz, persona dhe rrethana; pamundësia për të kuptuar apo për të qenë i kuptuar në një botë të çorientuar nga referencat – moskuptimi tragjikomik, kapitullimi i “arsyes së shëndoshë”, e cila e kthen përditshmërinë tonë në ferr. Prandaj dhe lënda e këtyre miniaturave gjakon të zhveshë perdet e një panorame konkrete ku gjëllon bashkëkohësi ynë, skrupujt e karakterit të tij në ballafaqimet morale dhe shpirtërore me vetveten dhe të tjerët. Parimi i pasqyrimit të “diellit në një pikël uji”, sadoqë është një recetë klasike, ka qenë për mua i vetmi mjet i efektshëm në vizatimin e “panairit” të përditshmërisë sonë.
Prozat e këtij vëllimi, siç e përmenda, nisën të shkruheshin dy vjet më parë, kur në të përjavshmen “Gazeta e së shtunës”, drejtori i saj, Mark Marku, kërkoi bashkëpunimin tim në një dyfletëshe elitare të gazetës, e cila kompozohej tradicionalisht nga tre autorë: Prof. Artan Fuga, unë dhe Umberto Eco. Për aq muaj sa zgjati gazeta, botova prozat e para nën një kënd që e pata titulluar “skica fiziologjike”, duke nënkuptuar ngjalljen e një zhanri të posaçëm që ka pasë ekzistuar në kulturat perëndimore midis shek. XIX-XX, kryesisht në Francë, Angli dhe Rusi. Skica fiziologjike ka qenë një përshkrim moral i jetës së përditshme të përfaqësuesve nga shtresat e ulëta, tregtarëve e matrapazëve, jetës së periferive dhe lagjeve të inkriminuara, por edhe të qarqeve kulturore borgjeze e aristokrate. Me këtë zhanër janë marrë gjerësisht shkrimtarë të famshëm të kohës, si Balzaku, Zhorzh Sandi, Zh. Zhanen, A. Karr, F. Sylje, Pol de Kok, etj. Të gjithë francezët i referoheshin akademikut Buffon, ndërsa në Rusi – skica fiziologjike u shkrua nga emra të mëdhenj si Turgenjevi, Nekrasovi, Dal, Dostojevski, N. Leskovi, etj. Me kohë, ky zhanër filloi të botohej më vëllime të posaçme (“Les français peints par eux mêmes”, 1839—1842, 8 tt.; “Le livre des cent et un”, 1831—1834, 15 tt., éd. Lavocat; “Paris au XIX siècle”, 1899; “Le diable a Paris”, 1845, 3 tt., etj. Por edhe “Les anglais peints par eux mêmes”, 1840—1841; “Les belges peints par eux mêmes”.) Ajo që mund të themi në lidhje me këtë zhanër është paraqitja antropologjike letrare e gjendjes shpirtërore dhe sociale të një shoqërie në marrëdhëniet e saj me përditshmërinë. Nga një lëndë e tillë e skicës fiziologjike, lindnin nën penën e këtyre shkrimtarëve tregimet, novelat dhe romanet realiste me sfondin, atmosferën dhe tipat përkatës. Një gjë e tillë në kulturën tonë mendoj se ka vend sot, me mitet e rrënjosura nën diktaturë, kërkimin me çdo çmim të suksesit individual, me bumin demografik dhe urban, etj.
Por çdo skicë fiziologjike që botoja, nuk i kishte parametrat përshkrimorë dhe as gjerësinë e tablove dhe detajeve të mjeshtrave që e formësuan këtë zhanër. Përkundrazi, “skicat” e mia prireshin kah ngjeshja e situatës dhe dialogut, drejt një parabole sociale apo psikologjike.
Pas mbylljes së të përjavshmes “Gazeta e së shtunës”, për më shumë se një vit e gjysmë prozat e këtij libri u botuan në gazetën online “Start”, ku pata rastin të përcjell edhe reaksionin e qindra lexuesve, shpesh në trajtën e komenteve të zgjeruara, çka më bëri më të vetëdijshëm për rëndësinë dhe horizontin provokues që shkaktonin tek lexuesit këto proza, në varësi të pranimit apo refuzimit të tyre.
Përse i quaj miniatura prozat e shkurtra të këtij libri. ǒështë miniatura? Në thelb, miniatura është një term letrar, i huazuar nga piktura. Në pikturë, miniatura është një realizim me ngjyra i një tabloje në përmasa të vogla, që shpesh ilustronte librat. Termi e ka origjinën nga fjala “minium” – emërtim i një nuance të së kuqes, të cilën e përdornin mjeshtrat mesjetarë të miniaturës. Miniatura e ka të domosdoshme të ketë të pranishme zanafillën pamore dhe syzhetore dhe si rregull, nuk duhet ta kalojë vëllimin prej 5 – 10 faqesh. Objekti i saj është përjetimi i botës së jashtme dhe jo të brendshme. Nga pikëpamja formale, miniatura është një vepër epike ose dramatike, por jo lirike, jo poezi. Kësisoj, miniatura është një vepër letrare e përmbyllur, që mbështetet mbi imazhet objektive. Përmasat e vogla të miniaturës përthithin në vetvete edhe veçori të tjera thjesht formale, të cilat e dallojnë atë nga një vepër e vëllimshme romanore. Ndër to, elementi më i rëndësishëm është përpunimi i thukët e delikat, që kërkon sy të mprehtë dhe dorë të sigurtë.
Në kulturën tonë letrare nuk më vjen ndërmend ndonjë rast tipik, me të cilin të mund të përqas përvojën time të këtij libri. As prozat e shkurtra letrare të Lumo Skëndos, as të Koliqit, as të Migjenit nuk janë miniatura, pasi natyra e tyre kufitare priret nga proza poetike deri tek novela, sikundërse nuk ngjajnë as me prozat e shkurtra të Harapit, Shantojës apo Anton Pashkut, pasi ato priren kah tregimi. Tek e fundit, për mua pak rëndësi ka modeli brenda traditës apo jashtë traditës. Rëndësi në punën time krijuese ka përvoja e këtyre prozave (të cilat, përveçse miniatura nuk di si t’i quaj ndryshe) – dhe përvoja e këtyre prozave për punën e shkrimtarit ka të bëjë me katalogizimin e një albumi të larmishëm, prerë prej faqesh të ndryshme të realitetit, ku secila miniaturë e përmbyllur, është një botë e propozuar artistike, e cila mund të zgjerohet dhe thellohet më tej, me mjete dhe procedime të tjera letrare.
Dhe së mbrami, përvoja ime me “lëndën e gjallë” të përditshmërisë sonë, është një dëshirë tejartistike për zbulimin dhe regjistrimin e “shock”-ut nga përballja me realitetin jashtë pragut. Mund ta quajmë “hap në realitet”. Mund ta quajmë “parkim në pistën e përditshmërisë”. Thelbësore është situata: njeriu kapërcen pragun e shtëpisë së tij dhe ndeshet ballë për ballë me absurditetin, nonsensin, arbitraritetin e thellë. Si të reagojë? Atij i duhet të dijë nga vjen ky mospërkim, kjo shpërputhjeje aq e prerë midis mendjeve, veprimeve dhe rrethanave. Njeriut i duhet të kuptojë që të orientohet. Dhe absurditeti i përditshmërisë sonë ka humnerat, greminat dhe zgafellat e veta. Prej andej vjen jehu i melodisë absurde, i nostalgjive dhe neurozave. Pikërisht në këtë humus të hidhur historik, ideologjik e social, i kanë rrënjët Lulet e së Keqes shqiptare.

                                                                                             

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›