ISKK kërkon fonde për projekte të reja shkencore në buxhetin 2026

TIRANË, 10 nëntor/ATSH/ Në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën u zhvillua sot seanca dëgjimore për diskutimin në parim të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2026”, me Institutin e Studimeve të Krimeve të Komunizmit (ISKK).
Të pranishëm ishin Mentor Beqja, kryetar i Bordit të ISKK, Çelo Hoxha drejtor ekzekutiv dhe Zoica Graçi, drejtore e financës. Fondi i pagave për ISKK për vitin 2026 është 41,9 mln lekë, brenda tavanit të miratuar. Për shpenzimet për botime, dokumentarë dhe aktivitete shkencore fondi arrin në 16,8 milionë lekë.
Drejtori ekzekutiv Çelo Hoxha, tha se shpenzimet kapitale për vitin 2026 janë 1 milion lekë për pajisje e fonde biblioteke. Hoxha e konsideroi këtë fond si kosto minimale për mbajtjen gjallë të një institucioni që prodhon dije dhe dokumentacion historik unik në vend.
Ndër çështjet kritike buxhetore, Çelo Hoxha përmendi faktin se, në dy vitet e fundit Instituti është detyruar të veprojë në ambiente me qira për shkak të vonesave në përfundimin e restaurimit të godinës historike. Qiraja aktuale është 3,5 milionë në vit që përbën 21% të totalit të shpenzimeve operative të ISKK-së.
Drejtori ekzekutiv i ISKK kërkoi mbështetje për një zgjidhje afatmesme me qira të përshtatshme për 22 punonjës, me buxhet vjetor deri në 6 milionë lekë.
Në buxhetin për vitin 2026 parashikohen dy nisma të rëndësishme zhvillimore. Nisma e parë është një studim kombëtar mbi perceptimet e të rinjve mbi komunizmin, i pari projekt në llojin e tij për të matur njohuritë dhe qëndrimet e të rinjve të shkollave të mesme (2,24 milionë lekë). Për këtë projekt pritet që do të ndikojë drejtpërdrejtë në politikat arsimore.
Projekti tjetër është takimi ndërkombëtar mbi edukimin dhe kujtesën për komunizmin. Buxheti i përgjithshëm për 3 vite është rreth 4,45 milionë lekë, ndërsa për vitin 2026 kërkohet një fond paraprak prej 500 mijë lekësh për organizimin e komunikimin me partnerët ndërkombëtarë.
“Qëllimi i kërkesës sonë nuk është rritja formale e fondeve, por sigurimi i kushteve reale për funksionimin normal”, u shpreh Çelo Hoxha.
ISKK ne Komisionin per Kulturen, Turizmin dhe Diasporen. Fotot nga Florian Abazaj 1 nga 6/a.f/r.e/