E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thesari i mahnitshëm saudit

Deri më 9 prill, Muzeu i Artit Islamik në Berlin do të prezantojë trashëgiminë arkeologjike të Mbretërisë Saudite, të titulluar “Roads of Arabia”. Koleksioni brenda vetes përmban disa sensacione të vërteta.

Ekspozita me të cilën Mbretëria Saudite dëshiron të tërheq vëmendjen tashmë ka vizituar tre qytete - Parisin, Barcelonën dhe Shën Petersburgun. Vizitorë kishte aq shumë, saqë ekspertët e historisë islamike u shprehën të befasuar. Nga data 26 janar, ekspozita po qëndron e hapur edhe në Berlin, në Muzeun Pergamon.

Mbi 400 eksponate nga Gadishulli Arabik shfaqin të arriturat historike dhe kulturore, që nga antika e deri te epoka e re islamike. Shumica e eksponateve janë huazuar nga muzetë e Arabisë Saudite, përderisa afro 80 të tjera nga burimet në Berlin.

Edhe për muzeun prestigjioz të Artit Islamik, i cili vitin e kaluar u vizitua nga një numër rekord vizitorësh (732,000), Arabia Saudite mbetet relativisht enigmatike. Drejtori, Stefan Weber, konsideron se detyrë e muzeut të tij është arsimimi i masave.

"Jemi të përkushtuar që debatit për islamin t’i shtohet edhe dimensioni kulturoro-historik”, pohon ai.

Duket se ekspozita "Roads of Arabia" erdhi në çastin e duhur në Berlin, ngase po e plotëson për mrekulli koleksionin ekzistues atje.

"Për këtë rajon nuk dimë pothuajse asgjë. Kështu ishte për dekada të tëra’, thotë Weber.

Ekspozita e re në fakt dokumenton ndryshimin paradigmatik të klishesë për një komb të varfër në shkretëtirë, në vendin që e shkroi historinë e artit. Për shumë vjet Arabia Saudite sikur i neglizhoi thesaret e saj. Por, sipas Weber, viteve të fundit Mbretëria Saudite ka bërë shumë për ruajtjen e trashëgimisë së saj. Në hapje, në Muzeun Pergamon ishte prezent edhe zëvendëspresidenti i Sekretariatit Saudit për Turizëm dhe Antikitete, Ali al-Ghabban, i cili falënderoi “opinionin gjerman për ofrimin e mundësisë së prezantimit të së kaluarës së Arabisë Saudite”.

A mund ë kuptohet ky veprim si hapje e historisë saudite ndaj botës?

"Kurrë s’është vonë për këtë gjë. Trashëgimia ka rëndësi për të ardhmen tonë. Në të ne shohim edhe një potencial ekonomik”, thekson al-Ghabban.

Arabia Saudite aktualisht po ndërton 11 muze të reja, të cilët do të duhej t’i lejonin një hapësirë të mjaftueshme historisë.

Natyrisht, ekspozita është rast i mirë edhe për promovimin e Mbretërisë.

Për këtë shkak Weber kritikohet rregullisht, sepse shtrohet dilema nëse duhet bashkëpunuar me një regjim autoritar. Por, drejtori i muzeut gjerman nuk i pengon ky fakt, përderisa ende askush s’e ka problem që të mbush veturën me benzinë saudite.

"Roads of Arabia" paraqet një udhëtim nëpër kohën kur rrugëve ecnin tregtarë e pelegrinë, e që fillon që nga gjurmët e para të njeriut. Nga mprehja parahistorike e shigjetave, vizitori kronologjikisht udhëhiqet deri tek gurgdhendësi i shekullit të 4’të para Krishtit, dhe vazhdon deri artefaktet e qyteteve antike ku dikur pushonin karvanët.

Por, vetë fakti se ekspozita e planifikuar me vite i kushton një rëndësi aq të madhe antikës që vije nga një vend burimor të Islamit nuk tingëllon aq logjike. Epoka para ardhjes së profetit Muhamed në islam konsiderohet si “kohë e padijes”. Në kuptimin më radikal, si kohë e barbarisë dhe e shumë zotëve. Mirëpo, kjo gjë nuk vërehet në këtë ekspozitë. Shikimi të kapë vetëm një vazhdimësi të historisë së Gadishullit Arabik. E, kjo do të mund të përshkruhej si një shenj ndryshimi. Një pjesë e ekspozitës i kushtohet edhe rrugëve historike të pelegrinëve, të cilët që nga koha para-islamike luajtën një rol me rëndësi në tregtinë e vendit. Por, ç’është e vërteta, këto rrugë u zhvilluan tek më vonë, në kohën e Islamit, kur u zhvillua një infrastrukturë e vërtetë për furnizimin e një lumi të tërë pelegrinësh, që andejpari kalonin me shekuj.

DW

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›