Thirrja e dytë për panelet diellore, Balluku: Aplikimet hapen në 24 shkurt, shteti subvencionin 70 për qind

Qeveria do të subvencionojë edhe 2 mijë familje të tjera për të vendosur panele diellore për ngrohjen e ujit në shtëpi. Aplikimet për familjarët do të hapen në datën 24 shkurt.
“Procesi do të jetë i ndarë në dy faza. Nga sot, subjektet që duan të ofrojnë shërbimin dhe instalimin e panelit duhet të aplikojnë në faqen e Agjencisë për Eficencën e Energjisë. Më 24 shkurt, abonentët familjarë që kanë dëshirë të pajisen me këto panele që subvencionohen 70%, mund të aplikojnë”, tha zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.
Duke instaluar këto panele, abonetët sipas Ballukut, do të kursejnë energjinë e konsumuar mujore.
“Vendosëm të vinim sot në një nga banesat që kanë instaluar këtë panel, në zonën e Farkës. Duke pasur parasysh suksesin e paketës së parë, kemi vendosur të lançojmë paketën e dytë. 2000 panele të tjera do të jenë të disponueshme për qytetarët që duan të vendosin panele në shtëpitë e tyre,. Këto panele do të kursejnë 20% të faturës”, tha Balluku.
Qytetarët do të mund të aplikojnë online, në faqen e Agjencisë për Eficencën e Energjisë. Ata duhet të paraqesin kontratën ekzistuese të energjisë, të vërtetojnë se nuk janë debitorë ndaj OSHEE dhe të zotërojnë një certifikatë pronësie për banesën./vizionplus.tv