E Hënë, 2 Nëntor 2026

2025 shpallet viti i Maks Velos! Nderim për arkitektin, piktorin e shkrimtarin që sfidoi regjimin komunist

Viti 2025 është shpallur “Viti Maks Velo”, një nderim dhe vlerësim për jetën dhe veprën e një prej intelektualëve më të njohur të Shqipërisë, piktorit, arkitektit, studiuesit dhe shkrimtarit Maks Velo.

Artisti rebel që guxoi të dilte jashtë kornizave të regjimit komunist, vjen tanimë në të gjitha dimensionet e tij.

Një qasje e re kjo që synon të rijetësojë dhe t’i beje jehonë kontributit të Maks Velos, përmes aktiviteteve që do të shtrihen në të gjithë Shqipërinë.

“Ky vit shënon 90-vjetorin e tij të lindjes dhe për të nderuar këtë figurë kemi vendosur ta shpallim vitin e Maks Velos. Ne çdo vit përpiqemi të kujtojmë dhe nderojmë figura që i kanë dhënë kulturës shqiptare. Mendoj që shoqëria shqiptare ka shumë nevoja për figura si Maks Velo, që flasin edhe me ikjen e tyre për vetë kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë. Ky është një mesazh se sa e rëndësishme është mos-harresa, por edhe se si mund ta përdorim veprën që ata kanë lënë në diskursin e sotëm publik”, tha Alda Bardhyli, drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Këto organizime vijnë si bashkëpunim i katër institucioneve Qendrës së librit, Bibliotekës Kombëtare, Muzeut “shtëpia me gjethe” dhe Autoritetit të Dosjeve. Ky i fundit mban dhe dosjen sekrete të përndjekjes, hetimit dhe dënimit të Maks Velos.

“Ka qenë ndër të parët që ka patur kurajo dhe e botoi dosjen. E botoi ashtu siç ishte. La një institucion akademik që ta trajtonte dhe e ka botuar të pastër. I ka bërë një shërbim të madh shoqërisë, se tregoi jo vetëm se si Sigurimi i Shtetit, por edhe institucionet e kulturës dhe artit janë deformuar, janë përthyer nën peshën e një pushteti shumë të madh arbitrar dhe janë detyruar të futeshin në atë qoshkën e vogël edhe njerëz me vlera shumë të mëdha artistike”, tha kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula.

Teksa e cilësuan simbol të disa epokave, të pranishmit në shpalljen e vitit të Maks Velos, shtruan edhe kërkesën për të kthyer studion dhe banesën e tij në një muze./vizionplus.tv

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›