E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thirrje gjermane në Prishtinë

27-08-2011 / Nga Qemal Sakajeva

Sa herë që një vend i Afrikës, siç së fundi Nigeri, apo ndonjë shtet i vogël, siç Santa Luçia në Karaibe, ose nga Oqeania a shtet arab, njoftojnë për njohjen e Kosovës, të ndërmenden theksimet e përsëritura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e të Bashkimit Europian, se Kosova e pavarur do të jetë në të ardhmen edhe në OKB, edhe në BE. Njohjet kanë shkuar në 81. Nëse për Kosovën, që të anëtarësohet në OKB, numri i duhur është ende cak i largët, çdo njohje e re që ndodh, për Serbinë afron me shpejtësi kufirin dramatik, pas ta cilit, dorëzimi apo mosdorëzimi, do të mbetet vetëm çështje e saj.
Por, ndoshta pa tejpamësi, Beogradi duartroket dhe e përdor si asin në lojën politike, mosnjohjen e Kosovës nga pesëshja e Bashkimit Europian - Greqi, Rumani, Spanjë, Sllovaki dhe Qipro - mes tyre, sidomos Qipro, Rumania e Sllovakia kanë përshtatur  kundër Kosovës, sjellje deri siç thuhet, “më katolik se Papa”. Për pesëshen e shteteve të BE-së, kjo mbështetje për Serbinë, nuk mund të mbetet e as të bëhet strategjike, sepse “Jo” e pesëshes do të përballet me “Jo” të 22 shteteve të tjera, plus Kroacinë që pritet të anëtarësohet, pra të 23 vendeve. Nëse këto pesë shtete do t’i thonë jo njohjes së Kosovës edhe shumë kohë më tej, do të jenë 23 shtete që do t’i thonë “Jo” Serbisë për në BE, pa zgjidhur më parë marrëdhëniet me shtetin fqinj. Bashkimi Europian nuk do të përsërisë një “Qipro nr.2”, për më tepër që në këtë zhvillim nuk ka një Turqi dhe Qipro të Veriut, me perspektivë të papërcaktuar integrimi, por është Republika e Kosovës, e mbështetur nga Bashkimi Europian për t’u bërë shtet, si për krijimin, zhvillimin dhe integrimin.
Thirrja gjermane në Prishtinë, më 11 gusht 2011, nga ministri i jashtëm Guido Westerwelle, që pesë vendet - Rumani, Greqi, Spanjë, Sllovaki dhe Qipro - të njohin sa më shpejt shtetin e Kosovës, përbën diçka madhore, pasi që është bërë e qartë se nuk ka ndarje të Kosovës dhe se reciprociteti i marrëdhënieve Kosovë - Serbi është i drejtë dhe i ligjshëm, dhe ashtu do të bëhet. Thirrje ndaj pesëshes kanë bërë më parë edhe SHBA, edhe BE, por thirrja e Berlinit ka peshën e vet në këtë trio thirrjesh, sepse:
Kjo u bë në Prishtinë. Domethënia e thirrjes në kryeqytetin e Kosovës, se njohja prej pesëshes duhet bërë, dhe duhet bërë sa më shpejt, përçoi te ato vende kumtin se, ato janë të vonuara në mënyrë të pakuptimtë dhe pa arsye të besueshme.
Kjo ishte thirrje gjermane. Shteti gjerman është lokomotiva e Bashkimit Europian. Pavarësisht nga barazia në të drejta brenda BE-së, logjika politike e Berlinit nuk zhbën interesat vetjake të pesëshes, por Bashkimit Europian i duhen hequr pengesat e kota në rrugën e njësimit të kontinentit nën emrin BE. Asnjëri prej të pesë vendeve nuk dëmtohet  e nuk i ndërlikohen marrëdhëniet e brendshme me njohje të shtetit të Kosovës. Ato, problemet e tyre i kanë pasur para Kosovës shtet, do t’i kenë po njëlloj edhe pas Kosovës shtet. Ky është një lloj vangu që gjindet, ndërsa thjeshtë bëhet për mbështetje ndaj Serbisë. Për këtë ka boll argumente, prej të cilëve, le të përmendim vetëm nga një: Presidenti rumun është bërë proverbial me deklarimet e veta kundër Kosovës, aq sa po t’ua heqësh thënieve autorin, kujton se nuk janë të Baseskut, por të Tadiçit. Sllovakia shkoi deri aty sa, edhe në një ndeshje futbolli, ku luante një skuadër shqiptare, lejoji parullën gjigande, të shkruar me cirilike serbe: “Kosova është Serbi”. Qipro me kohë ka thënë të fundit, se, edhe po qe që, Serbia do ta njohë Kosovën, Qipro nuk do ta bëjë këtë edhe pas kësaj. Ndërsa Greqia ka valencë politike të dyfishtë: edhe motër e madhe e Qipros, edhe mike ortodokse e Beogradit.
Kjo thirrje shkonte edhe për Serbinë, shteti kryesor kundër njohjes së Kosovës, por edhe shtet fqinj i saj.
Beogradi, atë kumt duhet të përpunojë mirë në laboratorin e vet politik. Çdo përpjekje serbe për në Bashkimin Europian, nuk ndihmohet dot nga pesëshja mbështetëse, sepse do të ndalohej nga njëshi i BE- Gjermania, nëse ajo nuk i përmbush kushtet e integrimit. Berlini e ka përsëritur kthjelltë - dhe Gjermania është e qëndrueshme në përcaktimet e përsëritura politike - pa zgjidhur problemin me shtetin e Kosovës nuk ka BE.
Ambasadori gjerman në largim, në Prishtinë, Hans Dieter Steinbach, në një intervistë të paradokohshme për mediat, tha troç: “Unë mund t’u garantoj se BE-ja kurrë nuk do të pranojë dy shtete që nuk e njohin njëri-tjetrin”. Pra, fjala kurrë, e kthyer në refren kënge nga Presidenti Boris Tadiç - “kurrë njohje të Kosovës” - ka përballë një “kurrë” të kursyer - por gjermane. Serbia nuk mund të fitojë BE-në, duke kapërcyer mbi Gjermaninë e fuqishme, për të mposhtur me europianizëm të shtirur shtetin europian të Kosovës.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›