E Diel, 1 Nëntor 2026

Thirrje kujtesës sonë nga një gjykatë skoceze

Përpara pak ditësh, një vendim i Gjykatës Penale të Apelit në Edinburg të Skocisë gjeti menjëherë një jehonë të gjerë edhe në
mediat shqiptare. Disa prej këtyre të fundit, ndonëse në periudhën e pushimeve të verës theksojnë tiparet në rozë, nuk kursyen vend për publikimin e një vendimi gjyqësor të dhënë në një skaj veri-perëndimor të Kontinentit Europian, sepse ai kishte të bënte me faktin e lirimit me kusht të një shtetasi shqiptar, ndaj të cilit kërkohej ekstradimi në Shqipëri, ku ishte dënuar në mungesë me 22 vite burg për vrasjen në Londër të një bashkatdhetari të tij në vitin 2002. Çfarë kishte ndodhur? Si dhe përse ky djalë nga Elbasani i kishte ngulur në një park të Londrës disa thika një të njohuri të vet, duke e shpënë këtë n'atë botë? Përse u bë e mundur që Kapri të arrestohej në Gllasgou jo më pak sesa 9 vjet nga koha kur kishte ndodhur vrasja? Të kuptohemi, dëshira jonë është që të mos bëjmë në këto radhë një rihetim të çështjes, që të mos rridhte pikë gjaku nga përshkrimi i një dhune trupore. Megjithatë, nuk mund të themi aspak se do të jemi në gjendje të davaritim mërzinë që të kaplon, kur dëgjon për ndodhira të tilla. Përkundrazi, atmosfera e gjykimeve të fundit në Skoci u bë për ne që jetojmë në Shqipëri edhe më e trishtueshme. Sepse, ja çfarë u tha!

Si në seancën e 10 korrikut me objekt kundërshtimin e ekstradimit të Fatjon Kaprit në Shtetin e tij, po ashtu edhe gjatë seancës së mbajtur nga mesi i këtij gushti për lirimin me kusht, Gjykata skoceze argumentoi në mbështetje të vendimeve të saj, se gjyqësori shqiptar mund të mos ketë marrë vendime të drejta, sipas frymës së Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Në vijim të parashtrimit të këtyre argumenteve, pas shqyrtimit edhe të raporteve më të fundit të Komisionit Europian dhe të Departamentit Amerikan të Shtetit në lidhje me konsideratat mbi efikasitetin apo jo të pushtetit gjyqësor në Shqipëri, zëvendëspresidenti i Gjykatës Penale të Apelit në Edinburg, në ushtrim të funksionit të kryesuesit të panelit vendimmarrës për këtë çështje, përfundimisht u shpreh: "Është për të ardhur keq që pavarësisht se në të drejtën ndërkombëtare parashikohet që gjithkush ka të drejtën për një gjyq të ndershëm dhe të drejtë, sërish ka shtete ku gjyqësori si i tërë është i infektuar nga korrupsioni". "Këtu përfshihen ryshfete të thjeshta për gjyqtarët ose zyrtarët e gjykatës, por edhe ndërhyrje për arsye politike në gjyqësor", - shtoi ai.

Gjithçka të shprehur më lart, shumëkush do ta kuptonte se për cilin shtet është fjala. Dhe, çfarëdo komenti tjetër rreth këtyre konstatimeve ndoshta do të ishte i tepërt. Sidoqoftë, kur fjalët marrin formën e një mesazhi, njeriu i arsyeshëm vetvetiu i thërret pak kujtesës, për të kuptuar përse gjatë mëse dy dekadave të fundit në Shqipërinë e vështruar edhe në planin juridik ka një hendek të thellë midis formalizimit dhe realizimit; përse në këtë plan ratifikimi i traktateve me vlerë ndërkombëtare nuk qenka kudo i barabartë me pjekurinë për të zbatuar plotësisht mbrojtjen e të gjitha të drejtave themelore të njeriut; përse normalisht pozitivizmi dhe normativizmi - siç shprehen autorë në zë të kësaj fushe - mbeten anë të ndryshme të së njëjtës medalje, në terma praktikë ato (sidomos, te ne) nuk ngjajnë si të tilla. Të shpjegohemi.

Është i njohur dhe i lexuar tashmë në shumë vende libri i Daniele Frisson "Introduction au droit anglais et aux institutions britannique" botuar më 1992, ku vihet në dukje, se fitoret themelore të anglezëve në fushën e lirive nuk kanë qenë rezultat i deklaratave solemne ose i teksteve legjislative, por produkt i traditës dhe i vendimeve të gjykatave. Ndërsa në kohën dhe në vendin tonë, ndonëse mungon tradita në këtë fushë, korpusi legjislativ është zgjeruar së tepërmi brenda 20 vjetësh. Ishte Shqipëria, ajo që qysh në fillim të viteve '90 iu përgjërua Këshillit të Europës dhe Shteteve Anëtare të tij, për t'u pranuar në këtë organizatë politike kontinentale, me një gatishmëri të admirueshme për të miratuar e ratifikuar pa asnjë rezervë edhe KEDNJ. Madje, në nenin 17 (paragr. 2) të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë u theksua shprehimisht se, cenimet eventuale të të drejtave dhe lirive të caktuara "në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut". Dhe, sikurse është theksuar, për të parën herë në legjislacionin tonë kushtetues kjo dispozitë i referohet drejtpërdrejt një akti ndërkombëtar të ratifikuar nga organi ligjvënës. Kjo lidhet edhe me përmbajtjen e nenit 122 (paragr. 3) të Ligjit tonë Themelor, ku në mënyrë eksplicite thuhet: "Normat e nxjerra prej një organizate ndërkombëtare kanë epërsi, në rast konflikti, mbi të drejtën e vendit, kur në marrëveshjen e ratifikuar nga Republika e Shqipërisë për pjesëmarrjen në atë organizatë, parashikohet shprehimisht zbatimi i drejtpërdrejtë i normave të nxjerra prej asaj".

Në këtë kuadër është parashikuar edhe instituti i kontrollit incidental të normës juridike, sipas të cilit, gjyqtari që në vendimet e dhëna prej tij duhet t'i bindet vetëm Kushtetutës dhe ligjit, nëse ndonjë normë që lidhet me gjykimin e një çështjeje konkrete ai mendon ose dyshon se bie ndesh me gërmën apo me frymën e aktit më të lartë të shtetit, i detyruar është ta pezullojë procesin dhe të bëjnë ankimin vetë ose palët në Gjykatën Kushtetuese, deri në një vendim të kësaj të fundit. Por në vend të zbatimit të këtij instituti, nga gjykatat tona merren shpeshherë vendime të pambështetura dhe të paarsyetuara drejtë, nën justifikimin se ka edhe shkallë të tjera ku shtetasit mund të gjejnë të drejtën. E kaluar kjo praktikë në formën e zinxhirit, që mbështjell qytetarët me arbitraritetin e padurueshëm dhe zvarritjet e gjata, sidoqoftë shumë prej tyre arrijnë t'i drejtohen Strasburgut. Dhe, evidencat konkrete të çështjeve të një spektri të gjerë të garantimit të disa prej të drejtave dhe lirive themelore, që u përkasin subjekteve të ndryshme, të dërguara nga Shqipëria dhe të shqyrtuara ndër vite prej Gjykatës Evropiane, nuk bëjnë gjë tjetër përveçse paraqesin faktet e përfundimit të tyre në shumicë absolute me penalizimin e shtetit tonë, i cili duhet të paguajë dëmshpërblime të konsiderueshme apo të majme, që bien mbi kurriz të të gjithë taksapaguesve vendas. Megjithatë, kjo linjë me destinacion Strasburgun vijon pa ndërprerje dhe përherë e më e ngarkuar. Sepse të ndjerë si të braktisur në hallet e tyre, edhe shqiptarët e kanë kuptuar gjithnjë e më shumë që për shkeljet në nivel kombëtar të të drejtave të tyre dhe për realizimin e zbatimit të efektshëm të Konventës, tek e mbramja le ta ndajnë përgjegjësinë Shtetet Palë dhe GJEDNJ, që vlerësohet të ketë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë fushë përmbi 50 vjet rresht.

Në një situatë të tillë tepër shqetësuese, Konferenca e Nivelit të Lartë e mbajtur në Interlaken (Zvicër), nëpërmjet deklaratës së saj të 19 shkurtit 2010 vërente që kështu po dëmtohej efektshmëria dhe besueshmëria e Konventës, si edhe mekanizmi i saj mbikëqyrës. Më pas, Konferenca e Nivelit të Lartë e mbajtur në Izmir (Turqi), në Deklaratën e saj të 27 prillit 2011 mirëpriste përparimin konkret që ishte arritur gjatë një viti të kaluar. Jo shumë kohë më vonë, në takimin e radhës të nivelit të lartë që u mbajt në Brajton (Angli) më 19 dhe 20 prill 2012, me nismën e Kryesisë së Mbretërisë së Bashkuar të Komitetit të Ministrave të KiE, duke iu shprehur mirënjohje kryesive të Zvicrës dhe Turqisë për organizimin e dy konferencave të mëparshme, u deklarua që ndonëse rezultatet e arritura në kuadër të Protokollit Nr. 14 të Konventës ishin inkurajuese (veçanërisht si rezultat i masave të marra nga Gjykata në Strasburg), numri në rritje i aplikimeve potencialisht me bazë që qëndrojnë përpara kësaj gjykate është një problem serioz. Në dritën e gjendjes së besueshmërisë së Konventës dhe të efektshmërisë së funksionimit të gjykatës deri dy vjet më parë, Deklarata e Brajtonit në 7 Paragrafë (ndër 39 që përmbante gjithsej) orientonte zbatimin e Konventës në nivele kombëtare, si edhe bashkëveprimin e Gjykatës Evropiane me autoritetet e secilit shtet palë. Në fund të kësaj deklarate ftoheshin kryesimet e ardhshme të Komitetit të Ministrave të KiE që të siguronin ritmet e mëtejshme në zbatimin e Konventës. Por çfarë ndodhi pas kësaj ftese?

Ishte Shqipëria, ajo që dy muaj më vonë nga publikimi i Deklaratës së Brajtonit mori kryesimin e Këshillit të Ministrave, por rezultatet e saj në këtë fushë vazhdonin të thellonin ndjeshëm deficitet e veta. Prandaj, me përfundimin 6-mujor të rotacionit, kur ministri ynë i Jashtëm ia dorëzoi në Tiranë stafetën homologut nga Andora, gjatë këtij akti protokollar nuk morën pjesë përfaqësues të asnjë Shteti tjetër që ka aderuar në Konventën e Këshillit të Europës, përkundër traditës së krijuar në zhvillimin e ceremonive të tilla. Edhe ky ishte një ndëshkim për çka ndodhte në Shqipëri, ku cenimet apo vetëcenimet ndaj funksionit të gjyqtarit, simbol i të cilit te ne është korrupsioni, vlerësohen si një paligjshmëri që është toleruar, madje edhe administruar fshehtazi apo haptazi nga pushteti politik. Nga ai pushtet politik, ku një kryeministër si ai gjarpri që lë herë pas here lëkurën mbi shkëmbinjtë e zhveshur, helmin lëshon edhe te gjyqtari, për t'i ngjarë ky atij gjahtarit që ndonjëherë fsheh edhe ujkun.

Thuhet tani që kjo paligjshmëri e tolerueshme, madje edhe e administruar fshehurazi apo haptazi ishte një nga arsyet e sosjes së durimit të popullit shqiptar, i cili me votë masive të 23 qershorit ia tregoi vendin një kaste shqiptarësh që kishte pushtuar Shqipërinë. Dhe prapëseprapë nuk mund të flihet mbi dafina, për të ëndërruar që këtej e tutje disa lutje dhe rregulla do të bëhen automatikisht dorëzanë për t'i siguruar përgjegjësitë publike (siç shkruan ironikisht Pierre Lascoumes te "Korrupsioni" i tij) në një kontekst ndershmërie të përkryer me disa bishta kometash të liga nga pas... Por, nëse ca zëra nga radhët e qeverisjes së re nën siglën 'Rilindje' parathonë për ndërmarrje reformash, ndër më kryesoret mes tyre do të ishin pa dyshim ato në fushën e drejtësisë, për të cilat e siguroj lexuesin se së shpejti do ta gjejmë kohën që të bashkëbisedojmë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›