E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thirrje ‘Heil Hitler’ në Parlamentin grek

Jo një, por tre herë është dëgjuar në parlamentin e Greqisë thirrja naziste ‘Heil Hitler’, gjatë një seance shumë të tensionuar mesditën e së premtes, ku diskutohej projektligji i ri kundër racizmit.

Divergjencat kanë filluar pasi një prej deputetëve të partisë neonaziste Agimi i Artë ka bërë fyerje të shumta ndaj kreut të së majtës radikale, Aleksis Tsipras.

Pas ndërhyrjes së kryetarit të seancës, deputeti neonazist Panajotis Iliopulos jo vetëm që nuk ka tërhequr akuzat e tij, por ka fyer pothuajse gjithë të pranishmit në sallë, duke i cilësuar si “bagëti” dhe për herë të parë në historinë e Parlamentit janë thirrur rojat e gardës për ta nxjerrë atë jashtë, raporton TCH.

Pas largimit të tij nga seanca, në shenjë proteste janë larguar të gjithë deputetët e Agimit të Artë, ndërkohë që janë dëgjuar tre herë thirrjet ‘Heil Hitler’.

Në deklaratën zyrtare, partia neonaziste shprehet se thirrja është dëgjuar nga krahu i radikalëve të majtë, ndërsa këta të fundit pohojnë se e kanë dëgjuar nga goja e deputetit ekstremist Kristos Papas dhe më pas ia kanë kthyer me ironi thirrjen në fjalë. 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›