E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tifozët anglezë, “klientë” të klubeve

Drejtori ekzekutiv i Borussia Dortmundit, Hans-Joachim Watzke, ka akuzuar klubet angleze se trajtojnë tifozët e tyre si “klientë” para udhëtimit të Manchester Cityt në Gjermani të martën në kuadër të duelit të fundit të fazës së grupeve.

Watzke beson se Premierliga ka humbur kulturën e saj të futbollit për shkak të numrit të madh të klubeve që janë bërë pronë e investuesve të huaj. City do të luftojë për një vend në Europa League në udhëtim te Dortmund dhe Watzke insiston se ata kanë mundësi të mësojnë nga suksesi i Bundesligës.

“Unë jam paksa romantik dhe ajo që bëjnë ata nuk është e tillë. Në Angli njerëzit duket sikur nuk janë të interesuar dhe nuk u pengon se Liverpool i takon një amerikani. Kjo vetëm për të përmendur një shembull. Gjermania është romantike, në një klub dukht të ekzistojë ndjenja e dashurisë, nuk mund të shndërrohemi në skuadër nga Katari ose Abu Dhabi”, deklaroi Watzke për The Guardian.

“Në të kaluarën në Angli marrëdhëniet mes klubit dhe tifozëve kanë qenë të fuqishme. Por, tani më duket sikur përkrahësit e klubeve angleze trajtohen si klientë të tyre. Ndërsa te ne mund të gjeni edhe bileta të lira në mënyrë që edhe fëmijët të jenë në gjendje të përcjellin ndeshjet. Në Angli është shumë më shtrenjtë. Futbolli atje është më tepër një biznes”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›