Tifozët e Arsenalit dalin kundër Wengerit

Tifozët e Arsenalit edhe zyrtarisht kanë kërkuar që Arsene Wenger të braktisë bankinën e Arsenalit. Të dëshpëruar ata u kanë shkruar krerëve të klubit , duke kërkuar që atij të mos i ofrohet vazhdimi i kontratës.
Kërkesa e tifozëve të “topçinjve” erdhi pas humbjes në shtëpi ndaj Aston Villas (1:3) në hapje të sezonit të ri në Premier League. Wenger, i cili tash e 17 vite drejton ekipin nga Emirates nuk i ka sjellë klubit asnjë trofe në tetë vitet e fundit dhe kjo ka shkaktuar pakënaqësi në radhët e tifozëve të Arsenalit. Javët e shkuara drejtori ekzekutiv Ivan Gazidis kishte paralajmëruar se klubi ka ndërmend t’i ofrojë francezit kontratë të re.
“Arsenal Supporters Trust (AST) mendojnë se një gjë e tillë është e pakuptueshme dhe e palogjikshme”, thuhet në kërkesën e 800 tifozëve më besnik, të cilët janë edhe pjesë e disa aksioneve të klubit.
Arsenali deri më tashti ka transferuar vetëm francezin e ri Yaya Sanogo, edhe pse që nga fillimi i afatit kalimtarë kishte paralajmëruar përforcime të shumta, pasi që ka para më bollëk. Mirëpo në këtë drejtim Wenger kishte pësuar fiasko, duke humbur para hundëve përforcimet si Higuain, Gustavo dhe Suarez ./indeksonline/