E Martë, 3 Nëntor 2026

Tifozi e kritikon, Mudryk e sfidon me një bast special

Mykhailo Mudryk ka shënuar 4 gola në 25 paraqitje me “blutë” e Londrës këtë sezon, duke marrë parasysh të gjitha kompeticionet. Larg shifrave emocionuese për një lojtar të paguar 100 milionë euro një vit më parë, i cili ende nuk ka performuar siç pritej. Ndërkohë, Chelsea është në vendin e 11-të në renditjen e Premier Ligës dhe dje pësoi një tjetër humbje sezonale, në shtëpi ndaj Wolverhampton.

Një disfatë që shkaktoi reagimin e fansave, shumë të zemëruar me performancën e “bluve” dhe mbi të gjitha të lojtarëve më të pritur, mes tyre edhe vetë Mudryk. Një mbështetës i dërgoi 23-vjeçarit ukrainas një mesazh privat në Instagram për ta inkurajuar që të përmirësohej, duke shprehur disa konsiderata legjitime për performancën e tij: “Çfarë po ndodh? A ke harruar si të luash futboll? Diçka duhet të ndryshojë, ndoshta duhet të stërviteni një me një. Sa herë që luani duket sikur jemi 10 veta.”

Përgjigja e Mudryk nuk vonoi: “Unë ju sfidoj në një ndeshje 1 kundër 1 për 10,000 stërlina”. Tifozi më pas i çoi gjërat më tej, duke i thënë ish-yllit të Shakhtar Donetsk se ai do ta paguante personalisht atë shumë për çdo gol që shënonte. Në atë moment Mudryk, i mërzitur, e pyeti nëse është i zoti të luajë futboll, duke lënë të kuptohet se pranon vetëm kritika nga ata që janë të aftë.

Sipas tabloideve angleze, djali në fjalë është Fedor Makarov, një 20-vjeçar që drejton një biznes personal dhe furnizon me veshje luksoze yje të ndryshëm, duke përfshirë disa futbollistë si Kai Havertz, Timo Werner dhe Billy Gilmour.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›