“Tinguj dhe Ngjyra”, artistët Arben Koliçi dhe Eduart Meço ekspozitë në Galerinë e Arteve Fier

Lidhja midis tingujve dhe ngjyrave është një temë e shpeshtë dhe magjepsëse në artet pamore. Kjo i ka bërë bashkë dhe dy artistë fierakë, Arben Koliçin dhe Eduart Meçon.
Ekspozita e çelur mbrëmjen e së enjtes në galerinë e Artit “Vilson Kilica” në Fier është konkretizimi I një projekti të nisur prej 15 vitesh.
“Skulptura e Edit dhe grafika ime ë besoj se e kam bërë një ndërthurje të mirë edhe kam pasur një balancë të mirë duke qenë dy zhanër të ndryshëm”, u shpreh grafisti dhe pedagogu Arben Koliçi.
Përmes ngjyrave, formave dhe shpirtit që përcjellin veprat e tyre, artistët sollën një dialog mes grafikës dhe skulpturës, si dhe një atmosferë frymëzuese për të pranishmit e shumtë.
“Cikli me të cilin unë marr pjesë në këtë ekspozitë titullohet “tingulli dhe forma”. Janë motive të cilat e marrin inspirimin nga veglat muzikore dhe nga folklori, kryesisht nga treva e Myzeqesë të cilat janë menduar dhe janë trajtuar për t’u kthyer në skulptura parku”, tha skulptori Eduart Meco.
“Motivet e grafikës time kanë të bëjnë me atë që quhet mendimi metafizik i artistit ku mund të sjell objekte, subjekte të vendosura, të kompozuara aty ndonjëherë dhe pa sens, por në brendësinë e tij ai e ka të gjithë narrativen”, theksoi Koliçi.
Punimet e ekspozuara grafika dhe bocete skulpturash, paraqitën rritjen artistike të dy shokëve, dikur nxënës të liceut artistik, sot pedagogë dhe artistë të pëlqyer.
Gazetare: L. Roshi
/rtsh.al/