E Diel, 1 Nëntor 2026

“Tirana International Film Festival”, nis përzgjedhja Tani në konkurrim edhe filma me metrazh të gjatë Nuk do të jetë më thjesht një festival i filmit të shkurtër. Tanimë në edicionin e tij të shtat

05/08/2009  Tirana International Film Festival”, nis përzgjedhja

Nuk do të jetë më thjesht një festival i filmit të shkurtër. Tanimë në edicionin e tij të shtatë, “Tirana International Film Festival” (TIFF) do të ketë pjesë të tijën edhe filmin me metrazh të gjatë. Festivali, siç duket, e ka kaluar “krizën” e dy vjetve të mëparshëm dhe tani vjen me hapësira të zgjeruara. Këto ditë organizatorët (“Albanian Art Institute”, “Ska-ndal” production) kanë filluar pranimin e filmave konkurrues dhe bëhet e ditur se do të konkurrohet në tri seksione: ai i filmit të gjatë, me metrazh të shkurtër dhe “Digiart”, një kategori e re për filmin e shkurtër televiziv.

Mbështetja kryesore financiare për festivalin këtë vit jepet nga Qendra Kombëtare Kinematografike, e cila në qershor firmosi një shumë prej 18,5 milionë lekësh për TIFF. Gjatë ditëve të këtij aktiviteti do të kombinohen të gjitha zhanret dhe formatet, që nga artistiku, dokumentari, i animuari e eksperimentali. Siç kanë synuar që në fillim organizatorët, TIFF, i hapur për të gjithë krijuesit nga bota, kërkon të shndërrohet në një dritare jo vetëm për krijuesit me emër në kinematografinë ndërkombëtare, por edhe për të rinjtë premtues, ndaj pjesë e festivalit do të jenë edhe takimet e seminaret. Edicioni i 7-të i TIFF-it do të zgjasë 9 ditë, nga 28 nëntori deri më 6 dhjetor. Këtë herë ai nuk do të përqendrohet vetëm në një nga kinematë e kryeqytetit, por edhe në salla të tjera, ku do të shfaqen retrospektiva apo do të zhvillohen takime mes studentësh e kineastësh.

Kriteret

Tani që faza e pranimeve është hapur, në faqen zyrtare të festivalit janë shpallur kriteret që duhet të plotësojnë prodhimet për të marrë pjesë në këtë edicion. Filmat e gjatë nuk duhet të jenë më të shkurtër se 70 minuta, ndërsa të shkurtrit jo më të gjatë se 30 minuta. Filmat që nuk janë në gjuhën angleze duhet të jenë të titruar në gjuhën angleze. Por të gjithë duhet të jenë prodhime pas shtatorit 2008. Faza e pranimit të filmave zgjat deri në 30 shtator, pas së cilës nis periudha e selektimit të konkurrentëve. Siç është bërë traditë, festivali do të mbyllet në natën finale me ndarjen e çmimeve. Do të jenë dy juri ndërkombëtare, në përbërje të të cilave do të ketë skenaristë, kritikë e regjisorë të njohur.

Gjatë viteve të historisë së tij TIFF ka arritur të bëhet një zë interesant dhe më tepër në kinemanë shqiptare. Falë këtij aktiviteti kanë mundur të vijnë në Shqipëri emra regjisorësh të njohur, si Alexandre Rockwell, Goran Paskaljeviç, Ken Loach, Alessandro Piva, Miguel Hermoso, Sam Green, Andrea Barzin, Angeliki Antoniou, Edoardo Winspeare, Franko Nero, Sergio Rubini etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›