E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flaket në plehra foshnja e vdekur

04/08/2009  Mjekët: Rasti i djeshëm i paprecedentë. Çifti shoqërohet në polici dhe më pas lirohet

Veprimi çnjerëzor është kryer nga bashkëshortët Kora. Ngjarja përballë maternitetit

TIRANE- Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur dje në maternitetin “Kiço Glozheni” në Tiranë, ku një fëmijë i vdekur sapo është tërhequr nga ambientet e spitalit është hedhur nga prindërit në kazanin e plehrave. Veprimi çnjerëzor mësohet të ketë ndodhur në orët e paradites, ku shtetasi me inicialet G. K. dhe shtetasja M. K. janë paraqitur në maternitet për të marrë fëmijën e tyre shtatanik, që për fatin e keq kishte lindur i vdekur. Sapo kanë plotësuar dokumentacionin përkatës, çifti nga një fshat i kryeqytetit është larguar nga ambientet e spitalit. Mirëpo kur të gjithë mjekët dhe infermierët kishin menduar se foshnja do të varrosej sipas riteve tradicionale të ceremonive mortore, papritmas ata kanë vënë re se babai i foshnjës së pajetë është drejtuar nga kazanët e plehrave dhe e ka hedhur së bashku me kartelën e spitalit mes plehrave. Ky gjest ka tmerruar administratën e spitalit, që për veprimin e rëndë i kanë kërkuar llogari shtetasit me inicialet G.K, por mësohet se ky i fundit i është kundërpërgjigjur duke u thënë se ai bënte ç’të donte me fëmijën e tij dhe askush nuk e kontrollonte. Menjëherë pas kësaj deklarate babai së bashku me nënën e foshnjës së hedhur në plehra janë larguar me taksi në banesën e tyre. Ndërkohë që rreth orës 12:00 kalimtarë të rastit kanë vënë re praninë e foshnjës së braktisur në kazanin e plehrave dhe menjëherë ata kanë telefonuar sallën operative të policisë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar punonjësit e komisariatit nr. 1, të cilët, pasi kanë konstatuar foshnjën e vdekur dhe kartelën e maternitet, janë drejtuar në zyrat e drejtuesve të këtij spitali. Në maternitet blutë mësuan për vdekjen e një foshnjeje të lindur i vdekur në muajin e 7-të të hënën, trupi i të cilës ishte tërhequr ditën e djeshme nga prindërit. Nga hetimet paraprake policia ka mundur të gjejë dhe të sekuestrojë kartelën e lindjes, nga e cila më pas mësoi vendndodhjen dhe identitetin e prindërve të foshnjës. Të ndodhur përballë kësaj situate, uniformat blu kanë shkuar në banesën e shtetasve G.K. dhe M.K, të cilët janë shoqëruar në ambientet e drejtorisë së policisë së Qarkut të Tiranës. Përpara oficerëve të policisë gjyqësore burrë e grua kanë deklaruar se hedhjen e foshnjës së tyre në kazanin e plehrave e kanë kryer me qëllim. Arsyetimi i veprimit të paprecedentë ka qenë se si fëmija i parë i lindur i vdekur, çifti ka menduar se futja në shtëpi e tij mund të sillte në të ardhmen fatkeqësi të tjera në jetën e tyre. Burimet thanë se dy bashkëshortët shfaqën pendesë për aktin e kryer. Ndërkohë pas dhënies së deklarimeve ata janë lënë të lirë nga policia, e cila ka vendosur që hetimet për dy shtetasit e mësipërm t’i kryejë në gjendje të lirë.

Kodi Penal s’ka vepër penale

Përtej veprimit absurd të çiftit Kora, që ka habitur administratën e maternitetit “Kiço Glezheni”, policinë, prokurorinë e Tiranës dhe mbarë opinionin publik, një gjë tjetër që ka detyruar hetuesit të lirojnë prindërit e foshnjës është se Kodi Penal nuk parashikon dënimin e një gjesti të tillë. Sipas specialistëve, Kodi Penal parashikon vetëm braktisjen e fëmijës deri në një moshë të caktuar nga prindërit ose nga personi përgjegjës për ruajtjen e tij, jo braktisjen e fëmijës kur ai ka vdekur. Juristët thonë se kryerja e ceremonisë mortore është më tepër një përgjegjësi morali sesa juridike, pasi kujtdo që i vdes një i afërm ai do kryejë varrimin e tij, qoftë edhe sikur të mos ketë pasuri ekonomike. Për rastin në fjalë specialistët shprehen se çështjen në vazhdim mund ta ndjekin autoritet e bashkisë ose të komunës, të cilat kanë hapësira ligjore për të ndëshkuar shtetasit që nuk kryejnë ceremoninë varrimit të personave të afërt. Rasti i djeshëm, ku një çift ka hedhur foshnjën e tyre të vdekur në kazanin e plehrave, në Shqipëri shënon rastin e parë të një akti të tillë çnjerëzor. Pritet që në ditët në vazhdim drejtuesit e komunës nga ishte çifti Kora të marrin masë penalizuese me gjobë ndaj bashkëshortëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›