E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana, PS: KQZ të shpallë pavlefshmëri në 284 qendra votimi

Partia Socialiste depozitoi dje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, padinë në të cilën kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve në 284 qendra votimi në Tiranë. Në dokumentin nëntë faqesh janë radhitur ato çka cilësohen prova të shkeljeve ligjore, që cenojnë parimin kushtetues dhe ligjor “një zgjedhës një votë”. PS pretendon se gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë Tiranë, kanë ndodhur dhe janë lejuar shkelje flagrante të ligjit, të cilat kanë cenuar procesin zgjedhor në atë masë sa ka ndikuar në mënyrë evidente në përcaktimin e kandidatit fitues për organet e qeverisjes vendore në këtë Bashki.

KËRKESË ANKIMORE

Objekti

1. Kundërshtimi i vendimit Nr. 1158 Datë 25/06/2011 të KQZ

2. Kërkesë për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në 284 qendra votimi

Bazuar në nenet 3,103,104,105, 124 dhe 126, neni 160, neni 161, pika 1 e vijues të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.

A) Shkelja e pretenduar dhe pasoja e tyre

Sipas vendimit Nr. 67 datë 13/06/2011 të Kolegjit Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, KQZ-ja kishte detyrimin të përputhte tabelat e rezultateve duke përputhur numrin e zgjedhësve me fletët e votimit në mënyrë që të realizonte parimin kushtetues dhe ligjor “një zgjedhës një votë”. Këtë detyrë të Kolegjit, KQZ-ja nuk arriti ta realizonte për shkak të shkeljeve të shumta ligjore. Sipas vetë tabelave të rezultateve të hartuara nga GNV fillimisht dhe vetë KQZ në procesin e realizuar prej saj, rezulton se ka mospërputhje të rënda në rezultatin e kësaj zone zgjedhore. Mospërputhje të cilat nuk janë pasojë e ndonjë gabimi njerëzor, pasi në atë rast do të ishte i korrigjueshëm, por që janë produkt i vetë procesit të votimit e numërimit, mospërputhje që demonstrojnë qartësisht shkeljen e ligjit.

Nuk ka se si të jetë ndryshe kur në shumë QV e listuara më sipër rezulton, nga tabelat përmbledhëse dhe shqyrtimi administrativ i zhvilluar prej KQZ, se ka më shumë fletë votimi të gjetura në kuti se sa zgjedhës që kanë votuar. Gjithashtu, në shumë QV (nga ato të listuara më sipër) rezulton se mungojnë fletë votimi ndërkohë që sipas listës së zgjedhësve ka më shumë zgjedhës që kanë votuar. Mangësi këto të pashpjegueshme logjikisht dhe as si gabim njerëzor në aspektin material të shifrave të pasqyruara, pasi në shqyrtimin administrativ të realizuar nga KQZ këto të meta nuk rezultuan të ishin gabime në llogaritje, por mangësi në vetë materialin zgjedhor. Të gjitha këto fakte janë shkelje flagrante të ligjit, pasi janë pasojë e veprimeve në kundërshtim me parashikimet e ligjit zgjedhor. Mosrakordimi i tabelave të rezultateve përbën një shkelje të Kodit Zgjedhor. Në nenin 3, pika 4 të Kodit përcaktohet që “çdo zgjedhës ka të drejtën e vetëm të një vote për zgjedhjen e një subjekti zgjedhor”. Për të realizuar dhe kontrolluar të drejtën e zgjedhësit të vetëm një vote, neni 105 pika c dhe dh, neni 106 pika 3 përcaktojnë qartë procedurën e votimit të çdo votuesi, duke gëzuar e disponuar vetëm të drejtën e një vote.

Gjithashtu, domosdoshmëria e përputhshmërisë ndërmjet numërit të fletëve të votimit të gjetura në kuti dhe numrit të votuesve (sipas nënshkrimeve në listën e zgjedhësve të përdorur në qendrën e votimit) përcaktohet si e tillë edhe në nenet 113, 116 dhe vijues të Kodit Zgjedhor. Mosrakordimi i numrit të zgjedhësve që kanë votuar, me numrin e fletëve të votimit të gjendura në kutinë e votimit, tregon se në rastin e kësaj zone zgjedhore nuk kemi një lidhje të qartë por përkundrazi deformim ta hapur të barazisë së kërkuar nga kushtetuta e ligji “një votues = një votë” në zgjedhjen e subjektit zgjedhor për Kryetarin e Bashkisë Tiranë, gjë që ka sjellë pasoja të pariparueshme në vet rezultatin përkatës zgjedhor të shpallur si rezultat përfundimtar nga KQZ me vendimin e saj Nr.1158, datë 25.06.2011. Konkretisht, në tabelën përmbledhëse të rezultatit për kryetar në zonën zgjedhore Bashkia Tiranë evidentohet se:

1- Diferenca ndërmjet fletëve të gjetura në kuti dhe numrit të zgjedhësve për Bashkinë Tiranë është 870 fletë votimi më shumë se zgjedhës.

2- Ndërkohë që shuma e fletëve të votimit të vlefshme me ato të pavlefshme krahasuar me numrin e zgjedhësve është 244 fletë votimi të numëruara e të përfshira në rezultat më shumë se numri i zgjedhësve.

Kodi Zgjedhor, në nenin 123, pika 1 të Kodit Zgjedhor, ka parashikuar se kur gjatë llogaritjes së tabelës, KQZ-ja, kryesisht apo me kërkesë të palëve, vëren mospërputhje të shifrave të tabelës përmbledhëse me rezultatet e tabelave të qendrave të votimit, merr vendim për korrigjimin e tyre duke u bazuar në origjinalet e tabelave të qendrave të votimit. Diferencat midis numrit të votuesve dhe numrit të fletëve të votimit të gjetura në kutitë e votimit për Kryetarin e Bashkisë Tiranë, nuk përmbajnë diferenca midis tabelës përmbledhëse të rezultatit dhe tabelave origjinale të qendrave të votimit, që është argumentuar se është gabim “njerëzor”. Jemi para një mospërputhjeje të rezultatit zgjedhor, me pasojë të dukshme deformimin e tij, gjë që përbën shkelje të ligjit, me ndikim në ndarjen e mandateve. Për këtë shkak janë të gjitha arsyet ligjore që zgjedhjet për kryetar të Bashkisë Tiranë të shpallen të pavlefshme.

B) Faktet, argumentet, dispozitat ligjore ku mbështetet ankimi

Procesi i zhvilluar nga KQZ, bazuar në urdhërimin e Kolegjit Zgjedhor me vendim nr. 67 datë 13/06/2011, u shoqërua dhe evidentoi shkelje të shumta të Kodit Zgjedhor. Detyra e KQZ ishte të hetonte 1472 kuti votimi. KQZ-ja hetoi 1793 kuti votimi. Prej këtyre në rreth 500 kuti të hetuara u konstatuan një sërë shkeljesh të tilla si: 1) U konstatua dhe u dokumentua mosrakordimi i kodit të 5 të sigurisë të kutisë së votimit me një, dy, tre apo katër kodet e tjera të kutisë përkatëse në një numër QV-sh si p.sh: QV 1685; QV 1813; QV 1727; QV 1976; QV 1681; QV 1807; QV 1870; QV 2012 etj. 2) U konstatuan një sërë kutish votimi të dëmtuara para ardhjes në KQZ, dëmtime këto të paevidentuara si të tilla në librat e protokollit të KZAZ-ve. Këto kuti ishin të thyera dukshëm dhe me hapësira në paretet e tyre. Me gjithë kërkesat tona për të mos u marrë në shqyrtim, në kundërshtim me ligjin dhe me praktikat e mëparshme të zbatuara po nga kjo KQZ (procesi i hetimit të 117 kutive) votat e gjendura në këto kuti u numëruan nga ana e KQZ-së, pa u hetuar më parë kutia e materialeve zgjedhore. Të tilla praktika të jashtëligjshme u zbatuan në disa QV si p.sh në QV 1789, QV 1696, QV 1788, QV 1966 etj. 3) U evidentua qartazi mundësia e ndërhyrjes nga jashtë në një sërë kutish votimi për shkak të hapësirave joligjore të evidentuara në to në të cilat mund të futeshin dhe nxirreshin lirisht për këtë shkak fletë apo zarfa me fletë të pavlefshme të cilat ishin brenda ose jashtë këtyre kutive të konsideruara “të sigurta” nga ana e KQZ. Ky fakt u provua publikisht në seancë publike kur u mundësua kryerja e një veprimi të tillë për të demonstruar abuzimin e pretenduar nga vëzhguesit e opozitës në procesin e vlerësimit të votave. Raste të tilla u evidentuan në disa QV si kutitë e QV.Nr.1861/1, QV Nr.1807, QV Nr.1809 etj. 4) U evidentua gjatë këtij procesi, përveç sa më sipër, edhe një shkelje tjetër shumë e rëndë. Në disa kuti të QV-ve mungonin krejtësisht zarfet e fletëve të pavlefshme në kutitë e votimit, ndërkohë që në procesverbalet e mbyllura nga grupet e numërimit ekzistojnë shënime të qarta për ekzistencën e këtyre zarfeve dhe fletëve të pavlefshme në këto kuti. KQZ nuk thelloi hetimin administrativ për këtë fakt që përbën një shkelje të rëndë të procesit. Kjo dukuri negative u konstatua jo pak, por në rreth 25 raste si psh me QV 1934, QV 1901, QV 1788 etj. 5) U konstatuan në disa kuti votimi fletë votimi që nuk i përkisnin fare asaj qendre votimi, pra që kishin ardhur e futur në këto kuti votimi në mënyrë krejt të jashtëligjshme nga qendra të tjera votimi. Megjithëse ky përbënte një fakt të hapur manipulimi KQZ, jo vetëm nuk pranoi të hetojë më tej për këtë fakt të kundraligjshëm, por përkundrazi, urdhëroi vlerësimin dhe përfshirjen e tyre në rezultatin e asaj qendre votimi, sikurse ishte rasti i QV 1867, QV 1861/1, QV 1935 etj. 6) U evidentua gjithashtu gjatë këtij procesi një shkelje tjetër e ligjit. KQZ vendosi hetimin dhe numërimin e fletëve të votimit të cilat ishin jashtë zarfeve të votave të pavlefshme, si QV 1704 fletë votimi 8, QV 1704/1 fletë votimi 23, QV 1707 fletë votimi 10, QV 1684 fletë votimi 13, QV 1739 fletë votimi 8, QV 1723 fletë votimi 7, QV 1731 fletë votimi 14, QV 1708 fletë votimi 3, QV 1728 fletë votimi 12 etj. Për sa më sipër rezulton se, në rreth 35 % të kutive u konstatuan dhe dokumentuan probleme serioze të integritetit dhe sigurisë së tyre, gjë që vendos në pikëpyetje të drejtpërdrejtë integritetin e materialit zgjedhor që ndodhet brenda tyre dhe për rrjedhojë bazueshmërinë dhe ligjshmërinë e vet vendimit të KQZ-së objekt të këtij ankimi. Konstatimi dhe dokumentimi i këtyre fakteve shpreh qartazi faktin se në këto QV procesi i votimit dhe numërimit është zhvilluar në mënyrë krejtësisht të parregullt dhe rezultati i tyre është produkt i qartë i shkeljeve të ligjit dhe jo produkt i një procesi të rregullt. Bazuar në sa më sipër, qartësisht është konstatuar se, procesi i realizuar nga KQZ-ja pas urdhërimit të bërë me Vendimin Nr.67 datë 13/06/2011 të Kolegjit Zgjedhor ka nxjerrë në pah shkelje dhe fakte të reja që kanë lidhje me integritetin e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të gjetura në to gjë që nuk mund të pranohet dhe as të bëhet pjesë e rezultatit të zgjedhjeve për Kryetar të Bashkisë Tiranë. Këto rezultate të këtyre kutive që bartin shkeljet e paraqitura më sipër nuk mund të pranohen dhe as të përfshihen në rezultat, pikërisht për shkak të mangësive të konstatuara, mangësi që nuk duhet të ekzistonin, evidentimi i të cilave e bën rezultatin e tyre nul e të papranueshëm duke qenë se nuk është e garantuar mundësia e mos cenimit të rezultatit të votimit në këto QV. Në ekzistencë të këtyre shkeljeve dhe fakteve rezulton se janë 284 QV në të cilat duhet të deklarohet pavlefshmëria e zgjedhjeve për shkak të pasojës së pariparueshme që këto shkelje ligji krijojnë në ndarjen e mandateve.

Me Vendimin Nr.1158, datë 25/06/2011 KQZ ka bërë shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për kandidatët për Kryetar të Bashkisë Tiranë. Nga hetimi i kryer nga KQZ edhe në urdhërim të vendimit të Kolegjit nuk u bë e mundur për të përputhur numrin e zgjedhësve me fletët e votimit të numëruara e të përfshira si pjesë të rezultatit zgjedhor për shkak të shkeljeve të shumta ligjore. Sipas tabelave model të hartuara nga GNV-të e KZAZ-ve të Zonës Zgjedhore Bashkia Tiranë, si dhe ato të hartuara dhe të miratuara nga vetë KQZ në procesin e realizuar prej saj, rezulton se ky rezultat zgjedhor përmban mospërputhje të rënda në numrin e fletëve të votimit të gjetura në kuti dhe numrit të zgjedhësve që kanë votuar. Mospërputhje të cilat nuk janë pasojë e ndonjë gabimi njerëzor, pasi në atë rast do të ishte i korrigjueshëm, por që janë produkt i vetë procesit të votimit e numërimit dhe që demonstrojnë qartësisht shkeljen e ligjit. Nuk ka gabim njerëzor në këtë rast pasi edhe nga shqyrtimi administrativ i realizuar nga KQZ këto mospërputhje nuk u arritën të rregulloheshin në asnjë lloj mënyre, sepse nuk përbënin thjesht një gabim në llogaritje, por ishin pasqyrim i asaj çfarë ka rezultuar nga shqyrtimi dhe numërimi i këtyre kutive me fletët e votimit pasojë e drejtpërdrejt e shkeljeve të dukshme të ligjit në procesin e votimit dhe të numërimit të rezultateve (nga KZAZ e KQZ) në QV përkatëse të listuara më sipër. Në shumë QV në kutitë e votimit ka më shumë fletë votimi të gjetura në kuti më shumë se sa numri i zgjedhësve që kanë votuar sipas listës së zgjedhësve së këtyre QV-ve. Pra, ka fletë votimi më tepër që nuk ka se si të shpjegohet se janë bërë pjesë e përmbajtjes së kutisë së votimit dhe as e rezultatit zgjedhor, përveç se me anë të shkeljes së ligjit në mënyrë flagrante gjatë procesit të votimit të realizuar në to apo edhe të një procesi numërimi e vlerësimi të parregullt apo edhe të manipuluar të kryer nga KZAZ-të dhe vetë KQZ. Është e papranueshme nga ligji që, qoftë edhe për një zgjedhës të rezultojë se ka më shumë se sa një fletë votimi për cdo kuti votimi. Fletët e tepërta të votimit të gjetura në këto kuti votimi janë treguesi i votimit të njerëzve që nuk kanë votuar në përputhje me parashikimet e neneve 103 e vijues të Kodit Zgjedhor apo që kanë vepruar në kundërshtim të këtyre kërkesave ligjore me qëllim deformimin e rezultatit zgjedhor. Nga ana tjetër, ka rezultuar e provuar se në shumë QV mungojnë fletë votimi, ndërkohë që sipas listës së zgjedhësve ka më shumë zgjedhës që kanë votuar. Mangësi kjo përsëri e pashpjegueshme logjikisht dhe as si gabim njerëzor në aspektin material të shifrave të pasqyruara, pasi në shqyrtimin administrativ të realizuar nga KQZ këto të meta nuk rezultuan të ishin gabime në llogaritje, por mangësi në vetë materialin zgjedhor.

Në bazë të parashikimeve të nenit 103 e vijues të Kodit Zgjedhor, zgjedhësi, në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të Bashkisë Tiranë, pajiset nga KQV me katër fletë votimi dhe në përfundim, në numërim të kutive me fletët e votimit nuk mund të rezultojë se në një Qendër Votimi apo që në të 4 kutitë e votimit të kësaj qendre votimi të mos përputhen numrat e fletëve të votimit në raport me numrin e zgjedhësve që rezulton se kanë votuar. Nuk mund të mungojnë fletë votimi, përveç se në rast se ato fletë janë përdorur në QV të tjera për të mundësuar realizimin e një procesi votimi krejtësisht të paligjshëm, duke ndikuar në vullnetin e zgjedhësve dhe në rezultatin e zgjedhjeve. Pra, janë nxjerrë fletë votimi nga një QV, gjë që është rreptësisht e ndaluar nga ligji dhe kjo për qëllimin e vetëm për të shmangur cenimin e procesit zgjedhor, i cili në rast të kundërt (sikurse është fakti konkret i parashtruar edhe më sipër) do të kryhej me anë të një manipulimi të votimit në ato QV duke e favorizuar njërin nga subjektet zgjedhore në mënyrë të paligjshme. Një shpjegim tjetër i këtij fakti do të ishte që këto fletë votimi janë hequr pas votimit, gjatë procesit të numërimit në VNV apo në KQZ gjithmonë në shkelje të ligjit dhe me qëllim për të favorizuar haptazi e në kundërshtim me ligjin një kandidat të caktuar e në rastin konkret z.Basha. Një gjë e tillë provohet qartazi me tabelat e rezultateve zgjedhore të hartuara nga GNV, me ato të hartuara e miratuara nga KQZ, me kqyrjen e kasetave filmike të VNV-ve etj. Këtyre shkeljeve iu shtohen edhe ato të konstatuara në QV Nr. 1867, QV Nr. 1861/1 dhe QV Nr. 1935, në të cilat nga vetë KQZ janë gjetur fletë votimi që iu përkasin qendrave të tjera të votimit. Konstatim që flet qartë për një proces votimi haptazi të parregullt, pasi në vështrim të procedurave të parashikuara në Kodin Zgjedhor për mënyrën e zhvillimit të votimit, kjo nuk duhet kurrsesi të ndodhë. Konstatimi i këtij fakti shfaq hapur se në këto QV procesi i votimit është zhvilluar në mënyrën më të parregullt dhe rezultati i tyre është produkt i qartë i shkeljeve të ligjit dhe jo produkt i një procesi të rregullt. Të gjitha këto fakte janë shkelje të ligjit, pasi janë pasojë e veprimeve në kundërshtim me parashikimet e neneve 103 e vijues të Kodit Zgjedhor. Pra, janë shkelje të evidentuara, të cilat kanë ndikuar dukshëm në rezultatin zgjedhor gjë që është rrjedhojë e paligjshmërisë evidente në votimin e realizuar gjë që ka një efekt të dukshëm në rezultatin e zgjedhjeve në këtë Bashki duke e deformuar atë në nivele të tilla sa të ndikojë në ndarjen e mandatit të Kryetarit të kësaj Bashkie. Duke parë diferencën prej 93 votave midis dy kandidatëve, që është disa herë më e vogël sesa produkti i shkeljeve të ligjit të evidentuara si më sipër dhe akoma më shumë po të marrim në konsideratë numrin e zgjedhësve që kanë votuar në këto qëndra votimi, plotësohen kushtet e kërkuara nga nenet 160 e 161 të Kodit Zgjedhor për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në të gjitha këto 284 QV. Pjesë e këtij arsyetimi janë edhe faktet e rezultuara për QV Nr. 1739 etj, në të cilat nga po vetë KQZ u konstatua se kodet e tyre nuk përputheshin dhe u përjashtuan nga shqyrtimi administrativ duke mos u bërë pjesë e rezultatit zgjedhor. Shkaku i përjashtimit të tyre ka të bëjë me parregullsinë e konstatuar në to sipas përcaktimeve të nenit 115 të Kodit Zgjedhor. Parregullsi ligjore që përsëri ndikon në ndarjen e mandateve për këtë njësi zgjedhore, duke qenë se numri i zgjedhësve që kanë votuar në to është disa herë më i lartë se sa diferenca midis kandidatëve. Në ekzistencë të këtyre shkeljeve e fakteve, mbështetur në parashikimet e neneve 160 e 161 të Kodit Zgjedhor, rezulton se janë 284 QV në të cilat duhet të deklarohet pavlefshmëria e zgjedhjeve dhe nisur nga diferenca e rezultatit midis kandidatëve dhe numri i zgjedhësve që kanë votuar në këto qendra, pasoja në ndarjen e mandateve për këto QV është e padiskutueshme. Një gjë e tillë na legjitimon ne si subjekt zgjedhor që në këtë fazë të procesit të ngremë këtë kërkesë ankimore për pavlefshmëri te zgjedhjeve ne këto Qendra Votimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›