KQZ vendos sot “fatin” e ankimimit të PS
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të mblidhet sot në orën 10:00, për të hedhur shortin e caktimit të relatorit të kërkesës ankimore të regjistruar në këtë institucion nga Partia Socialiste. Zëdhënësi Leonard Olli konfirmoi dje se padia është protokolluar dhe administrata ka përcaktuar thirrjen e mbledhjes shqyrtuese. Sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor, relatori bën verifikimin e ekzistencës së elementëve të formës dhe elementëve të tjera që përmban ankimimi. Rezultati i verifikimit rehatohet në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, jo më vonë se 24 orë nga çasti i regjistrimit të kërkesës ankimore. Ligji i njeh të drejtën Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që të marrë vendim për pranimin ose mospranimin e kërkesës ankimore pasi verifikon elementët që kanë të bëjnë me: a) kompetencën e KQZ-së për shqyrtimin e ankimit; b) legjitimimin e ankuesit; dhe c) respektimin e afateve ligjore për ankimin. Ky element i fundit është një pikë kyçe, ku mbështetet në pretendimin e saj pala e KQZ-së e cila pretendon se Partia Socialiste i ka tejkaluar afatet e përcaktuara ligjore në të cilat mund të kërkonte pavlefshmëri zgjedhjesh në Bashkinë e Tiranës. Pretendohet se deri më tani, Partia Socialiste e ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve që njihte Ramën fitues me 10 vota, pa shprehur kontestime për pavlefshmëri dhe diçka të tillë nuk e ka bërë as në rastin e padisë së paraqitur sëfundi në Kolegjin Zgjedhor, pas të cilës u rivu në lëvizje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të gjetur fletët e hedhura në kutinë e gabuar. Në vendimin e dhënë më 25 qershor nga ana e KQZ-së, kjo e fundit ju ka dhënë përgjigje disa prej pretendimeve kryesore mbi të cilat tanimë selia rozë kërkon pavlefshmërinë e më shumë se gjysmës së qendrave të votimit në Bashkinë e Tiranës. Sakaq, edhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike deklarojnë se është e pamundur që të kërkohet pavlefshmëri e zgjedhjeve në këtë moment. Njazi Kosovrasti deklaroi dje se pavlefshmëria e zgjedhjeve është një kapitull i mbyllur dhe se pretendimet e PS janë pa baza ligjore. Kosovrasti thekson se pavlefshmëria mund të kërkohet vetëm nëse ka prova konkrete për parregullsi në një qendër votimi. Por, sipas tij, asnjëherë nuk është shprehur ndonjë shqetësim për këtë.