Tirana do të presë forumin e parë për Korridorin e VIII-të në shkurt 2026, Spiropali: Projekt strategjik për sigurinë dhe zhvillimin ekonomik të rajonit

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka njoftuar se në shkurt të vitit 2026, Tirana do të presë Forumin e parë për Korridorin e VIII-të, një projekt strategjik që ka për qëllim të kontribuojë në sigurinë Euro-Atlantike dhe të promovojë transformimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në rajon dhe më gjerë.
Deklarata u bë gjatë vizitës zyrtare të Ministres Spiropali në Maqedoninë e Veriut, ku ajo u prit nga homologu i saj, Timço Mucunski. Gjatë takimit, diskutimet u përqendruan në procesin e integrimit të dy vendeve në Bashkimin Europian, si dhe në forcimin e bashkëpunimit mes partnerëve të NATOs dhe në të ardhmen e rajonit.
Spiropali theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me Maqedoninë e Veriut, Italinë, Bullgarinë dhe Rumaninë për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të rajonit, duke përfshirë gjithashtu promovimin e projektit të Korridorit të VIII-të. Ky korridor do të luajë një rol të rëndësishëm në lidhjen infrastrukturore dhe në avancimin e lidhjeve ekonomike midis shteteve të rajonit.
/rtsh.al/