Tirana, llogaritë e mbijetesës

Tirana mban vendin e tetë në renditje pas fitores me Partizanin dhe dy javët e ardhshme mund të përcaktojnë mbijetesën. Skënderbeu dhe Teuta janë dy kundërshtarë të vështirë, por bardheblutë e kanë vetë në dorë fatin e tyre, pa shikuar rezultatet e ndeshjeve të tjera nëse fitojnë me rivalët direkt.
Fitorja kundër Partizanit nuk vlen thjesht tri pikë për Tiranën, edhe pse ato ishin objektivi i vetëm në përpjekje për t’u larguar nga vendi i fundit. Suksesi përballë rivalit historik, që ndryshe nga Tirana lufton për titullin, u ka dhënë zemër e shpresë bardhebluve, përveç pikëve që e kanë ngjitur skuadrën në vendin e tetë.
Sigurisht që asgjë nuk është e sigurt, pasi diferenca me vendin e fundit është vetëm dy pikë, ndërkohë që vendin e parafundit e mban Teuta, me po aq pikë sa Tirana, 35. Kur kanë mbetur edhe tri javë, tri janë pikët që ndajnë Skënderbeun e vendit të gjashtë nga Laçi i vendit të fundit, ndaj gjithçka mund të ndodhë.
Tirana aktualisht gjendet në pozicionin e play-outit dhe në tri ndeshjet e mbetura, dy i kanë me rivalë direkt në luftën për mbijetesë. Në javën e ardhshme, skuadra e Shkëmbit shkon në Korçë, kundër Skënderbeut, ndërsa më 19 prill do të presë Teutën, skuadrën me të cilën tani ka pikë të barabarta.
Ndeshje pa dyshim të vështira e luftarake, por gjëja më e rëndësishme për Tiranën është që e ka vetë në dorë fatin e saj, pa pritur rezultatet e ndeshjeve të tjera. Nëse bardheblutë marrin atë që duan në këto dy ndeshje radhazi, atëherë mund të shkojnë të shpëtuar në javën e fundit të kampionatit, ku i pret derbi tjetër, përballë Dinamos.
Në rast dështimesh, vështirë se edhe një shkujdesje e bluve, në prag të ndeshjeve për titull në katërshen finale, mund ta shpëtojë Tiranën, që duhet dhe i ka mundësitë t’i zgjidhë vetë problemet e saj, edhe nën shtysën e entuziazmit pas fitores me tre gola kundër Partizanit.