E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, me sistem të ri adresash

Bashkia e Tiranës ka prezantuar dje nisjen e fazës përfundimtare të projektit, ku do të bëhet lidhja mes emrit dhe adresës


Adresari përmban emrin e rrugës, numrin e ndërtesës, shkallës dhe apartamentit, si dhe njësitë bashkiake, ku ndodhet vendbanimi i kërkuar

"Deri në fillim të vitit 2011, kryeqyteti do të ketë një sistem të ri adresash", ky është premtimi që Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, u bëri qytetarëve të Tiranës gjatë prezantimit të fazës së tretë Adresarit të ri.


Gjatë prezantimit të fazës përmbyllëse të këtij projekti, kryetari i Bashkisë, Edi Rama, tha se gjithë ky sistem i ri adresash është i përmbledhur në një bazë të re teknologjike, të verifikimit dhe informimit, në një sistem informacioni gjeografik që është i aksesueshëm nëpërmjet Internetit.


"Dua të bëj një apel për të gjithë qytetarët e Tiranës, që të bashkëpunojnë në këtë proces, duke plotësuar Formularin e Vendbanimit. Formulari i Vendbanimit u është vënë në dispozicion, apo është në rrugë drejt derës së shtëpisë dhe është shumë e rëndësishme që sapo t'u komunikohet nga personi përkatës që e sjell Formularin në shtëpi, adresa e re e vendbanimit, çdo qytetar ta fiksojë atë dhe ta përdorë sa më shpesh", u shpreh Rama. Adresari i ri i Tiranës ka disa elemente që e thjeshtësojnë së tepërmi procesin e gjetjes së një adrese.


Elementët përbërës janë; emri i rrugës, numri i ndërtesës, numri i hyrjes (shkallës) dhe numri i apartamentit. Gjithashtu përmban edhe bashkitë dhe njësitë bashkiake, në të cilin ndodhet vendbanimi i kërkuar, si dhe kodin postar të zyrës më të afërt të postës, me vendbanimin e caktuara.


Puna për Sistemin e ri të adresave në Tiranë ka filluar në vitet 2004 -2005, kur grupi i punës bëri tentativën e parë për ndërtimin e një sistemi funksional adresash, por kjo gjë kishte vështirësi. Ajo mori një zhvillim të mëtejshëm në vitin 2007, ku një bazë e re të dhënash për rrugët, sheshet, hartat etj., u përgatit për të mundësuar fillimin e projektit të adresave.


Gjatë vitit 2008, të gjitha Njësitë Bashkiake të Tiranës dhe Bashkia e Tiranës bënë emërtimin e rreth 1300 rrugëve, shesheve, lulishteve dhe hapësirave publike të qytetit, ndërsa gjatë vitit 2009, grupet e punës bënë numërtimin nga harta dhe në terren të të gjitha godinave në qytet, si dhe të të gjitha hyrjeve për çdo godinë të qytetit, shoqëruar me një proces të identifikimit e survejimit në terren, për mbledhje e dixhitalizim të dhënash.


Të gjitha të dhënat e mbledhura u hodhën, përpunuan dhe dixhitalizuan, me bazë harte në Sistemin e Informacionit Gjeografik (GIS) të Bashkisë së Tiranës.


Sipas Bashkisë, gjatë këtij viti grupet e punës po trokasin dhe do të vazhdojnë të trokasin në çdo banesë në qytet, për të komunikuar adresën e re të çdo njësie banimi të qytetarëve.


Faza përmbyllëse e këtij projekti është kërkon pjesëmarrjen aktive të të gjithë qytetarëve, pasi synon që të lidhë vendin ku banon çdo qytetar me adresën e dhënë për atë njësi banimi. Kjo gjë mund të bëhet vetëm nëpërmjet plotësimit nga qytetarët të Formularit të Vendbanimit.


Me përfundimin e këtij procesi, Sistemi i Adresës bëhet funksional, sepse bëhet kështu edhe lidhja e Regjistrit të Gjendjes Civile me Regjistrin e Adresës, ose më thjeshtë lidhja e emrit të qytetarit me adresën e vendbanimit të tij.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›