Bosh: Zëvendësimi i komisionerëve, jo sipas arbitraritetit politik

Reformimi i sistemit zgjedhor
Ristani: Do përgatisim draft për ndryshimin e Kodit Zgjedhor
TIRANË - Në kushtet kur çështja e zgjedhjeve të kaluara midis mazhorancës dhe opozitës është themeli i krizës politike midis këtyre forcave, të cilat nuk po arrijnë të gjejnë gjuhën e kompromisit midis tyre për t'i dhënë mundësi reformimit të sistemit zgjedhor për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm, kreu i Prezencës së OBSE-së në Shqipëri, Robert Bosh, kërkoi dje që partitë politike të mos t'i zëvendësojnë anëtarët e komisioneve zgjedhore në mënyrë arbitrare.
Gjatë një forumi me drejtuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe komisionerëve që administruan procesin e numërimit gjatë zgjedhjeve të vitit të kaluar, kreu i OSBE-së në Shqipëri, Bosh, theksoi se ky veprim mund të bëhet nga forcat politike vetëm në rastet kur një gjë e tillë parashikohet qartë nga kuadri ligjor për zgjedhjet, dhe në asnjë rast tjetër.
"Është vendimtare se për administrimin e pavarur dhe profesionist të zgjedhjeve, partive politike nuk u duhet lejuar që t'i zëvendësojnë anëtarët e komisioneve të niveleve më të ulëta në mënyrë arbitrare. Zëvendësime të tilla do të duhet të lejohen vetëm për arsye specifike të parashikuara qartë nga kuadri ligjor.
Përveç kësaj Kodi Zgjedhor duhet të garantojë mekanizma efektivë për plotësimin e vendeve të lira në administratën zgjedhore në rast se partitë politike nuk ushtrojnë të drejtën e tyre për të bërë emërime brenda afateve të përcaktuara", - tha dje Bosh.
Duke iu referuar zgjedhjeve të fundit parlamentare, për të cilat opozita dhe mazhoranca vazhdojnë të mbajnë qëndrime diametralisht të kundërta, Bosh specifikoi, se pavarësisht se zgjedhjet e 28 qershorit të vitit të kaluar u cilësuan nga raporti i OSBE-ODIHR-it si zgjedhjet më të mira, ato duhen parë sërish në prizmin e "gotës gjysmë - bosh dhe gjysmë - plot".
Për këtë arsye, ai kërkoi që komisionerët të jenë të pavarur dhe paanshëm në veprimet dhe vendimet që marrin gjatë një procesi zgjedhor. "Ka shumë hapësirë për të përmirësuar, por ashtu siç i ka cilësuar raporti i OSBE-ODIHR-it, këto zgjedhje ishin më të mirat për Shqipërinë. Por mund ta kthejmë këtë edhe nga ana tjetër, që është si ajo puna e gotës "gjysmë - bosh" dhe "gjysmë - plot".
Duhen respektuar rekomandimet e ODIHR-it për administrimin e zgjedhjeve ku theksohet përfundimisht se komisionerët nuk duhet të punojnë sipas preferencave politike po duhet të jenë të paanshëm", - u shpreh ai.
Përveç kërkesave nga partitë e vogla për reformimin e sistemit zgjedhor e këtij procesi do të jetë edhe vetë institucioni i administrimit të zgjedhjeve. Sipas kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani, institucioni që ai drejton do të përgatisë një draft që do t'i dërgohet komisionit që do të ngrihet me konsensusin e forcave politike për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
"E shtruam për diskutim dhe në këtë mbledhje për të tërhequr mendimet që komisionerët zgjedhorë kanë në mënyrë që të përgatitemi dhe të kemi një draft tonin propozimesh të mundshme që synojnë përmirësimin e ligjit zgjedhor", - nënvizoi Ristani, ndërsa shtoi se do të kryhet trajnimi dhe certifikimi i komisionerëve, në mënyrë që të shmangen militantët partiakë në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Subashi replikon me Ristanin: Nuk më keni informuar mbi mbledhjen
"Ndihem e ftuar dhe jo si organizatore"
TIRANË - Takimi midis drejtuesve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, komisionerëve të zgjedhjeve të kaluara dhe përfaqësuesve të OSBE-së në Shqipëri, përveç diskutimeve mbi zgjedhjet e kaluara dhe ato të ardhshme është shoqëruar edhe me replika midis kryetarit dhe nënkryetares së KQZ-së.
Nënkryetarja e institucionit të administrimit të zgjedhjeve, Dëshira Subashi, është befasuar dje kur e ka parë veten si të ftuar në këtë forum dhe jo si organizatore e tij, në një kohë kur bëhej fjalë për mënyrën e administrimit të zgjedhjeve të qershorit, mjaft të debatuara në jetën politike shqiptare përgjatë një viti.
Ai i ka kërkuar shpjegimin kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se përse nuk është informuar nga administrata e këtij institucioni mbi forumin në fjalë.
Për këtë arsye, ajo u largua nga mbledhja duke bërë që pas tij të dalin edhe përfaqësuesit e OBSE-së, përfshirë këtu edhe kreun e këtij organizmi Robert Bosh. Ky i fundit ishte ai që negocioi midis Ristanit dhe Subashit për të zgjidhur këtë mosmarrëveshje të vogël.
"Unë nuk ndjehem mirë që në një analizë pune për të rregulluar punët e së ardhmes, unë të mos jem e informuar, pa një material të përgatitur nga administrata dhe për ato që sapo u thanë, në një mbledhje kaq të rëndësishme për të ardhmen e punës sonë.
Kjo më bëri që të marr fjalën në këtë fazë pa qenë pjesë e kësaj tavoline në përgatitjen e kësaj mbledhjeje. Natyrisht unë gjykoj që nuk më takon të rri këtu", - tha dje Subashi.
Por, Ristani u shfajësua duke thënë se ky forum nuk kishte nevojë për ndonjë përgatitje të veçantë, por vetëm një shkëmbim mendimesh nga ana e komisionerëve dhe drejtuesve të KQZ-së.
"Unë ju thashë që në fillim, qëllimi i aktivitetit, është që ne të bisedojmë së bashku dhe të shkëmbejmë mendimet. Këmbimi i këtyre mendimeve nuk ka nevojë për përgatitje dhe ju e patë që unë fola pa letër.
Nuk bëra ndonjë studim në ato që ju paraqita. Ju thashë vetëm që ne duam të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin dhe kjo është gjë e përgatitur nuk ka nevojë për gjëra të tjera", - u shpreh ai. Forumi vijoi më pas me diskutimet midis komisionerëve pa praninë e nënkryetares Subashi.